Serie A refuzon kërkesën e Monzës për ta shtyrë ndeshjen me Bolognën pas therjes me thikë të Pablo Mari
Monza do të përballet me Bolognan javën e ardhshme, saktësisht në ditën e hënë, siç ishte planifikuar pasi që Serie A vendosi të refuzojë kërkesën e skuadrës së porsapromovuar për shtyrje pas incidentit të lojtarit të saj, Pablo Mari, që u sulmua me thikë në Milano.
Skuadra nga Lombardia kërkoi që përplasja e ardhshme me kuqekaltrit të hënën mbrëma të shtyhet pasi lojtari i huazuar nga Arsenali pësoi plagë me thikë në një incident në një supermarket në Lombardi dje. Shumë prej lojtarëve kërkuan shtyrjen e ndeshjes, të ndikuar dukshëm nga situata dhe dëmtimet e shkaktuara në bashkëlojtarin e tyre.
Siç raportohet nga La Gazzetta dello Sport, kërkesa e Monzas për të shtyrë ndeshjen kundër Bolognës është refuzuar dhe dy skuadrat do të përballen siç ishte planifikuar të hënën në mbrëmje, duke e detyruar skuadrën të luajë vetëm disa ditë pas incidentit shqetësues.
#MonzaBologna si giocherà regolarmente lunedì: respinta la richiesta di #Galliani dopo l'aggressione a #PabloMarì https://t.co/rCIEFJc3f8
— calciomercato.com (@cmdotcom) October 28, 2022
Pablo Mari do të jetë jashtë fushës për të paktën dy muaj pas një operacioni të suksesshëm. I huazuari i Arsenalit u sulmua në një supermarket nga një 46-vjeçar italian i quajtur Andrea Tombolini, i cili sulmoi edhe katër të tjerë, duke vrarë fatkeqësisht një arkëtar 30-vjeçar.
Ashtu siç përcolli Gazeta Nacionale, Pabo Mari, ka shkruar në rrjetet sociale pas incidentit, duke qetësuar ata që u shqetësuan për shëndetin e tij, si dhe i ka falënderuar për kujdesin dhe mesazhet e shumta.

“Pas momentit të vështirë që kemi përjetuar dje, unë dhe familja ime dëshirojmë t’ju komunikojmë që fatmirësisht jemi mirë dhe duam t’ju falënderojmë për shumë mesazhe të përzemërta dhe përkahëse që jemi duke pranuar.”
Futbollisti i Monzës gjithashtu shprehi ngushëllimet e tij për personin që humbi jetën.
“U jemi afër familjarëve dhe miqve të viktimës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. U dëshirojmë një shërim të shpejtë edhe personave tjerë që kanë pranuar lëndime”, thuhet në mesazhin e futbollistit spanjoll.

