Flet ylli i Arsenalit pasi u ther me thikë: Jam mirë pas një momenti të vështirë që përjetova
Ylli i Arsenalit, Pablo Mari, i cili së fundi po luan si i huazuar te Monza, pa veten në një makth të vërtetë gjatë mbrëmjes së djeshme, pasi një shtetas 46-vjeçar italian theri disa civilë, përfshirë, në një supermarket.
Menjëherë mbrojtësi spanjoll u shoqërua me helikopter në drejtim të spitalit më të afërt për ta marrë ndihmën e parë mjekësore. Ai pësoi një therje të rëndë në pjesën e shpinës. Të njëjtin fat nuk e kishte edhe njëri prej shitësve të supermarketit që nuk ia doli t’u bëjë ballë plagëve, duke ndërruar jetë.
Për fatin e mirë Mari është jashtë rrezikut për jetë. Atij i është bërë një ndërhyrje kirurgjike, e cila mësohet se ka shkuar gjithçka mirë.
Ka qenë vetë futbollisti spanjoll ai i cili ka qetësuar të gjithë duke thënë se po ndihet mirë: “Pas momentit të vështirë që kemi përjetuar dje, unë dhe familja ime dëshirojmë t’ju komunikojmë që fatmirësisht jemi mirë dhe duam t’ju falënderojmë për shumë mesazhe të përzemërta dhe përkahëse që jemi duke pranuar.”

Këtë shkrim ai e bëri në profilin zyrtar të tij në rrjetin social “Instagram”. Mari në fund u uroi shërim të shpejtë gjithë atyre që ishin pjesë e asaj ngjarje të rëndë, e që u lënduan nga 46-vjeçari italian që nxori thikën dhe sulmoi papritmas kë gjente përpara vetes. Gjithashtu, ai shprehi edhe ngushëllime për vdekjen e një nëpunësi të supermarketit.
“U jemi afër familjarëve dhe miqve të viktimës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. U dëshirojmë një shërim të shpejtë edhe personave tjerë që kanë pranuar lëndime”, thuhet në mesazhin e futbollistit spanjoll.
Deklarata e Gallianit në lidhje me rastin
Shefi ekzekutiv i Monzas, Adriano Galliani tha për Sky Italy se Mari u ther në shpinë dhe se plaga është goxha e thellë, por konfirmoi se mbrojtësi nuk është në rrezik për jetë.
Mari është 1.93 i gjatë dhe Galliani beson se ai shpëtoi falë shtatgjatësisë që ka.
“Pablo Mari ka një plagë goxha të thellë në shpinë, e cila fatmirësisht nuk ia ka prekur organet vitale si mushkëritë apo tjerat”, tha Galliani për Sky.
“Jeta e tij nuk është në rrezik, ai duhet ta rimarrë veten shpejt. Ai më tregoi për këtë incident të jashtëzakonshëm. Ai ishte me djalin dhe gruan e vet. Ai nuk vërejti asgjë. Por pastaj ndjeu dhimbje në shpinë, e cila ishte nga thika e kriminelit”.
Galliani shtoi: “Fatkeqësisht, ai po ashtu e pa kriminelin duke e therur dikë në fyt. Ai pa gjithçka që ndodhi dhe ishte shumë shqetësuese”.

