Ylli i Arsenalit theret me thikë në një qendër tregtare në Itali, raportohet edhe për një person të vdekur
Një 46-vjeçar italian ka sulmuar disa civilë në qendrën tregtare të Assago në Lombardia të Italisë. Raportohet se edhe ylli i Arsenalit, Pablo Mari, që së fundi është huazuar te Monza, figuron në mesin e të lënduarve.
Një shok i vërtetë vjen nga Italia. Një person rreth orës 18:30 ka ndërmarrë një veprim të rëndë. Një shtetas italian sapo ka hyrë në qendrën tregtare ka marrë një thikë në vete dhe ka therur pesë veta. Në mesin e tyre ishte edhe mbrojtësi spanjoll, Pablo Mori, që tani është lojtar i Monzas në formë huazimi, por kartonin e tij e zotëron Arsenali.
Në brendi të supermarketit “Carrefour”, që gjendet në qendrën tregtare “Milanofiori” të Assago, gjeti vdekjen edhe një nëpunës. Bëhet fjalë për shitësin e supermarketit që nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve.

Gjendja shëndetësore e futbollistit të Monzas nga burimet e medieve nuk është shumë e rëndë. Ai është i aftë të flasë dhe është koshient.
Adriano Galliani, si drejtor i klubit të Monza, raportohet se ka marrë rrugën menjëherë drejt spitalit për ta vizituar lojtarin spanjoll. Edhe trajneri Palladino i është bashkangjitur atij.
Mari është transportuar me helikopter në spitalin e Niguardias. Aty po i bëhen të gjitha mjekimet e nevojshme për t’u siguruar që nuk do të përshkallëzohet gjendja e tij.
Ajo çfarë dihet deri më tani bazuar nga raportimet e medieve italiane është se nga ata që janë shoqëruar në klinikën emergjente spitalore të qytetit në fjalë, katër janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerë për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.
Arrestimi i agresorit dhe detajet e aktit makabër
Forcat italiane të rendit dhe sigurisë shumë shpejt ia kanë vënë prangat agresorit 46-vjeçar, që lëndoi disa civilë dhe ia shkaktoi vdekjen një nëpunësi në orar të punës.
Sipas detajeve të shpalosura deri më tani nga Policia e Italisë, kemi të bëjmë me një njeri që vuante nga depresioni dhe ishte duke iu nënshtruar një trajtimit të detyrueshëm shëndetësor.
Në brendi të supermarketit ka marrë një thikë. Duke përdorur armën e ftohtë në fjalë ka therur persona të ndryshëm, pa ndonjë paramendim ose zgjedhje selektive. Vetëm rastësisht.

Dy klientë që u gjenden në supermarket kanë ndërhyrë në një mënyrë dhe ia kanë dalë që t’ia marrin thikën, duke e kapur dhe ndalur. Ata ia kanë dorëzuar forcave të rendit, të cilët janë duke u marrë me rastin.
Personat e sulmuar raportohet të jenë të moshave 28, 30, 40 dhe 80-vjeçe. Mediet shkruajnë se nga personat e lënduar, janë edhe dy gra të moshuara, por që fatmirësisht nuk janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dëshmitarë të rastit kanë treguar se kanë parë me qindra civilë duke vrapuar për të ikur nga vendi i ngjarjes dhe se ishin tërësisht të hutuar me atë çfarë po ndodhte.