Sacchi: Inter është skuadra më e mirë në Serie A - NACIONALE

Sacchi: Inter është skuadra më e mirë në Serie A

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Arrigo Sacchi, ish-trajneri legjendar italian, njihet për deklaratat objektive. Edhe pse ka bërë historinë me Milanin dhe është i lidhur me të, ai e sheh Interin skuadrën më të fortë.

Ekipet në Serie A kanë filluar të përgatiten për sezonin e ri. Milan duket që është mbrapa me gjithçka: nga rinovimet deri te prurjet e reja. E njëjta nuk mund të thuhet për Juventusin dhe Interin, të cilët janë në fazën më të lartë të punës për ta kompletuar skuadrën me transferimet e reja para se të nisë kampionati.

Nga i gjithë reformimi që po ndërmirret nga skuadrat dhe me gjendjen e tanishme, shumëkush mendon që pikërisht Inter dhe Juventus janë ato që nisen si favorite. Të njëjtin qëndrim e ka edhe Arrigo Sacchi.

"Interin e shoh në përparësi. Nga pikëpamja teknike dhe e përvojës, për mua edhe në kampionatin e shkuar ka qenë skuadra më e mirë. Pastaj, e vërtetë që fitoi Milani, tërësisht me meritë, por vlerat nuk ndryshojnë. Ato mbesin.



"Juventusi është vështirë që të dështojë për dy vite radhazi. Tani është duke blerë lojtarë që i përshtaten Allegrit dhe kjo është një gjë pozitive. Duhet ta rigjejnë shpirtin luftarak, i cili i ka karakterizuar gjithmonë"
, shtoi ai.



Sa i përket Milanit, ai nuk ngurroi ta thellojë mendimin e tij.

"Milani do të jetë aty, duke luftuar për titull. Me një kusht, ama: ta harrojnë sa më parë atë çfarë kanë bërë gjatë sezonit të shkuar, e cila ishte një lloj mrekullie. Duhet të punojnë fort për të kërkuar që të përmirësohen dhe t'i mbulojnë disa të meta, të cilat janë evidentuar edhe gjatë sezonit paraprak. E fillojnë kampionatin me entuziazmin e titullit të fituar dhe kjo është një dozë e mirë e energjisë. Mirëpo, as mos të mendojnë se tashmë i kanë arritur të gjitha"
, komentoi Sacchi.



Trajneri italian shprehi mendimin e tij edhe rreth Romelu Lukakut dhe rikthimit të tij tek Inter.

"Nëse Inter nuk luan mirë, njësoj bën edhe Lukaku. Ta kujtojmë që Maradona, do të thotë më i miri i të gjitha kohërave, nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Kampionëve dhe se Cristiano Ronaldo u transferua te Juventus për ta fituar Ligën e Kampionëve, por nuk ia doli as ai.
Çfarë filmi vë në publik nëse nuk e ke dramën?"
, përfundoi Sacchi.

Lajme të ngjashme