Rreth 20 klube në takim për krizën në futbollin kosovar, por jo edhe Ballkani e Llapi - NACIONALE

Rreth 20 klube në takim për krizën në futbollin kosovar, por jo edhe Ballkani e Llapi

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Rreth 20 klube nga të gjitha kategoritë e futbollit kosovar janë mbledhur të premten për të diskutuar për rrezikun e thellimit të krizës së futbollit në vend, si pasojë e dështimit të Federatës së Futbollit për t’u licencuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Nga Superliga – elita e futbollit në vend – në takim, megjithatë, kampioni në fuqi Ballkani, fituesi i Kupës Llapi dhe Dukagjini, nuk janë parë në takim deri në këto çaste, merr vesh Gazeta Nacionale nga burimet e veta brenda takimit.

Ballkani dhe Llapi kanë treguar një afërsi me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, në vitin e fundit, për dallim nga klubet e tjera që kanë ngritur zërin për shqetësimet e tyre në futboll.

Takimi është duke u zhvilluar momentalisht, ku drejtuesit e klubeve nga Superliga dhe Liga e Parë janë duke biseduar për krizën serioze me të cilën do të përballen nëse ato nuk do të mundë të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk i ka plotësuar kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) dhe disa prej tyre nuk i është pranuar vërtetimi gjatë kësaj jave.

“Jemi diku rreth 20 klube këtu. Ligji për sponsorizim na ka nxjerr shumë telashe”, ka thënë burimi për Nacionalen.

“Nëse nuk ka zgjidhje për ligjin për sponsorizim, ne as në përgatitje nuk mund t’i dërgojmë ekipet tona”, shtoi ai.

Klubet kosovare të futbollit përballen me telashe financiare edhe me ligjin për sponsorizim, por me mungesën e tij për shumicën absolute të tyre do të nënkuptonte kolaps i plotë.

Gjilani, i cili është në telashe serioze financiare sepse pronari i vet Florim Zuka hoqi dorë nga investimi në klub dhe po kërkon blerës të ri, nuk është pjesë e takimit, po ashtu.

Por kushto që do të dëshironte të investonte te një klub i madh si Gjilani, sigurisht se do të ngurronte ta bënte në mungesë të ligjit për sponsorizim, i cili investitorët në futboll i liron nga taksat për 30%.

Lajme të ngjashme