Rooney: Sjellja e Ronaldos e papranueshme, shpërqendrim që Man Utd nuk ka nevojë në këtë moment
Sjellja e Cristiano Ronaldos në Manchester United që nga afati kalimtar veror ka qenë e papranueshme, ka thënë ish-bashkëlojtari i tij te djajtë e kuq, Wayne Rooney, i cili thotë se është një shpërqendrim që kjo skuadër nuk ka nevojë në këtë moment.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë kishte shpresuar që të largohej për në një rrugëtim tjetër për sezonin 2022-23, pasi ai këmbënguli të largohej gjatë afatit kalimtar të verës për një skuadër që luan në Ligën e Kampionëve.

37-vjeçari në fund u detyrua të qëndronte te djajtë e kuq dhe ka bërë që gjatë gjithë kohës vëmendja të jetë tek ai, pasi pa vetën në stol në fillim, e pastaj duke refuzuar të hynte në fushë si zëvendësues dhe duke luftuar shumë për të shënuar në një sezon që ka shënuar vetëm tre gola në 16 paraqitje.

Legjenda e United Rooney ka thënë për talkSPORT për ish-shokun e tij të skuadrës: “Karriera që ai ka pasur së bashku me Lionel Messin si dy lojtarët më të mirë të, të gjitha kohërave dhe ju mund të kaloni në çdo mënyrë këtë, por unë thjesht mendoj se gjërat që ai ka bërë që nga fillimi i sezonit, me të vërtetë nuk janë të pranueshme për Manchester Unitedin. E shoh, padyshim, Roy Keane e mbrojti atë, por Roy nuk do ta kishte thënë këtë. Është një shpërqendrim që Manchester United nuk ka nevojë për momentin [ndërsa ata] përpiqen ta rindërtojnë skuadrën. Cristiano thjesht duhet të ulë kokën, të punojë dhe të jetë gati të luajë kur trajneri ka nevojë për të. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë një pasuri, nëse nuk e bën, do të bëhet një shpërqendrim i padëshiruar.”

Ronaldo mori shiritin e kapitenit në ndeshjen e fundit të Unitedit në Premierligë, por pa Djajtë e Kuq të pësonin një humbje 3-1 ndaj Aston Villa dhe nuk u përfshi fare në skuadër kundër të njëjtit kundërshtar në mesjavë në Carabao Cup, për shkak të një sëmundje siç tha Erik ten Hag.

Skuadra e Ten Hagut ka një ndeshje tjetër për të luajtur përpara pushimit të Kupës së Botës, ku do të udhëtojnë në Fulham të dielën.

