Ronaldo thuajse e kryer në Al Nassr, mësohen detajet e fundit - NACIONALE

Ronaldo thuajse e kryer në Al Nassr, mësohen detajet e fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo pritet të zyrtarizohet gjatë orëve në vijim si futbollist i Al Nassr. Kështu mësojnë burimet e të përditshmes spanjolle “Marca”.

Mund të thuhet se është thuajse e kryer. Për Cristiano Ronaldon fillon një epokë e re, në një kontinent të ri.

Sipas burimeve të “Marca” marrëveshja me Al Nassr është përfunduar 99%. Tani kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për t’u rregulluar.

Gjithçka pritet të mbyllet mes mbrëmjes së sotme ose ditës së nesërme. Pra, në këtë interval kohor ai pritet të zyrtarizohet si futbollist i ri i klubit nga Arabia Saudite.

“Presidenti dhe drejtori sportiv i klubit të Al Nassr për momentin gjenden në Madrid, ku synojnë që ta marrin me vete Cristiano Ronaldon në Arabinë Sauditë dhe ta prezantojnë atë deri nesër më 31 dhjetor”, shkruan “Marca”.

Negociatat mes palëve kanë filluar që para fillimit të Kupës së Botës, edhe pse vetë Ronaldo kishte mohuar që kishte arritur ndonjë ujdi përfundimtare.

Një lajm i tillë vinte më 23 nëntor. Ai do të përfitojë 200 milonë euro në vit, duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Paga marramendëse dhe faraonike për yllin portugez është ajo që ka bindur atë që t’i thotë “po” projektit të Al Nassr.

Kështu ai do të shndërrohet edhe në futbollistin më të paguar në botë. Cristiano Ronaldo për hir të vërtetës nuk është se ka pasur edhe shumë zgjidhje tjera, pasi në muajt e fundit është refuzuar nga të gjitha klubet elitare evropiane, për shkak të rendimentit të tij në rënie, por edhe moshës që bën të veten.

Lajme të ngjashme