Ronaldo në drejtim të Arabisë Saudite – raportohet se është arritur marrëveshja me Al Nassr - NACIONALE

Ronaldo në drejtim të Arabisë Saudite – raportohet se është arritur marrëveshja me Al Nassr

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në orët e mbrëmjes kanë filluar të intensifikohen raportimet se Cristiano Ronaldo ka arritur marrëveshje me Al Nassr. Ai gjatë ditëve të ardhshme do të zhvendoset në Arabi Saudite për ta kompletuar transferimin.

Ashtu siç është raportuar gjatë, duket se ylli portugez, Cristiano Ronaldo, karrierën e tij do ta zhvillojë në Arabinë Saudite, gjegjësisht tek Al Nassr.

Siç raporton gazetari Nizaar Kinsella i të përditshmes britanikeù “Standard”, marrëveshje është arritur mes palëve. Pra, për momentin ekziston një ujdi verbale.

Raportohet se pesë herë fituesi i Topit të Artë do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me klubin e Al Nassr.

Ndërkaq akoma më optimistë janë mediet në Arabinë Saudite. Ato ishin të parat që raportuan që tashmë Ronaldo mund të quhet lojtar i Al Nassr.

Madje, sipas tyre vetë zyrtarizimi i tij në Al Nassr është çështje orësh e jo ditësh më. Burimet e medieve të besueshme evropiane kishin thënë ditë më parë se drejtuesit e klubit arab po bënin çmos që ta zyrtarizonin yllin 37-vjeçar brenda 31 dhjetorit.

Me gjasë një gjë e tillë po shkon në drejtim të duhur. Sido që të jetë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë akoma raportime dhe detaje tjera në lidhje me këtë ngjarje.

Po ashtu, ditë më parë është thënë se Ronaldo është shumë i uritur që ta ndihmojë Kombëtaren e Portugalisë në Evropianin 2024, por edhe të jetë pjesë e saj edhe për Kupën e Botës që do të zhvillohet më 2026, anipse ai deri atëherë do të mbushë moshën 41-vjeçare.

Duhet kujtuar faktin se Ronaldo nuk ka qenë aspak i dëshiruar nga shumica e klubeve evropiane. Përfaqësuesit e tij kanë bërë çmos që ta ofronin në klube të ndryshme, por që të gjitha janë shfaqur skeptike dhe nuk kanë pranuar që ta angazhojnë atë në skuadër.

Lajme të ngjashme