Ronaldo s’u dorëzua dhe në fund mori shpërblimin që meritoi, thotë Erik ten Hag - NACIONALE

Ronaldo s’u dorëzua dhe në fund mori shpërblimin që meritoi, thotë Erik ten Hag

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Erik ten Hag e ka lartësuar Cristiano Ronaldon për këmbëngulësi, pasi sulmuesi portugez u rikthye dhe shënoi gol mbrëmë në fitoren e Manchester Unitedit 3:0 kundër Sheriff Tiraspolit, disa ditë pasi ishte përjashtuar nga ekipi për shkak të sjelljes.

Ronaldo, i cili u përzë nga skuadra e parë sepse nuk pranoi të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamin javën e kaluar dhe u largua para kohe nga stadiumi Old Trafford, shënoi gol më në fund në minutën e 81-të pasi i humbi disa mundësi të mira shënimi.

“Ai nuk u dorëzua. Mendoj se kjo është ajo që ai e ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, dhe në fund ai u shpërblye për këtë”, tha Ten Hag për Ronaldon.

“Ekipi i vazhdoi përpjekjet për ta vendosur atë në pozitën e duhur dhe ai i vazhdoi përpjekjet për të qenë vetë në pozitën e duhur”, shtoi ai.

Unitedi e siguroi kualifikimin në fazën e eliminimit direkt një xhiro pa përfunduar faza grupore, falë golave nga Diogo Dalot, Marcus Rashford dhe i rikthyeri në skuadër Cristiano Ronaldo të enjten në Old Trafford.

Ky rezultat nënkupton se djajtë e kuq duhet ta mposhtin Real Sociedadin të enjten e ardhshme për ta shmangur përballjen me njërën prej skuadrave që do të vijnë nga Liga e Kampionëve në play-off.

Por njëra prej çështjeve që mori më së shumti vëmendje të enjten pas fitores kundër Sheriffit ishte rrokullisja e dyfishtë e Antony mbi topin në pjesën e parë, të cilët shumë analistë futbolli e quajtën si turpëruese, sepse braziliani e gjuajti topin jashtë lojës në tentim për të pasur.

“Nga ai unë kërkoj më shumë, më shumë vrapime nga mbrapa, futje më të shpeshta në zonë, më shumë driblime të shpejta. Pra ne kërkojmë më shumë mbizotërim në lojë dhe kur ka trik të tillë, është mirë”, shpjegoi ai.

Por trajneri holandez tha se nuk do të pranojë që gjëra të tilla të bëhen për hir të mburrjes: “Përderisa është funksional, dhe nuk e humb topin, atëherë në rregull është. Por nëse e bën një trik sepse dëshiron të bësh trik, atëherë e ndreq unë atë”.

Lajme të ngjashme