KATAR 2022 | Ronaldo: Shumë është shkruar, shumë është spekuluar por përkushtimi im ndaj Portugalisë nuk ka ndryshuar kurrë - NACIONALE

KATAR 2022 | Ronaldo: Shumë është shkruar, shumë është spekuluar por përkushtimi im ndaj Portugalisë nuk ka ndryshuar kurrë

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, më në fund ka reaguar, pas eliminimit nga Kupa e Botës me Portugalinë në çerekfinale ndaj Marokut. Portugezi nuk e bëri të qartë se a do të pensionohet por tha se ëndrra e tij për të fituar një Botëror mbaroi, teksa tha se edhe pas shumë spekulimeve përkushtimi i tij për Kombëtaren nuk ka ndryshuar kurrë.

Ronaldo nuk luajti në dy ndeshjet e fundit nga fillimi i takimit, me Fernando Santos që preferoi të riun Gonçalo Ramos, para tij, ky i fundit që shënoi një het-trik ndaj Zvicrës në fitoren 6:1 por ishte i padukshëm ndaj Marokut.

Portugalia u eliminua në çerekfinale, pasi u mposht nga Maroku 1:0, pas golit të En-Nesyrit në pjesën e parë, për t'i dhënë fund një ëndrre portugeze.

Ronaldo me anë të një postimi në Facebook tha:

Fitimi i një Kupe Bote me Portugalinë ishte ëndrra më e madhe dhe më ambicioze e karrierës sime. Fatmirësisht fitova shumë tituj të përmasave ndërkombëtare, përfshirë Portugalinë, por vendosja e emrit të vendit tonë në nivelin më të lartë në Botë ishte ëndrra ime më e madhe.

Unë luftova për të. Luftova shumë për këtë ëndërr. Shënova në pesë Botërore gjatë 16 viteve, gjithmonë në krah të lojtarëve të mëdhenj dhe i mbështetur nga miliona portugezë, dhashë gjithçka nga vetja. Lashë gjithçka në fushë. Unë kurrë nuk e ktheva fytyrën time në luftë dhe kurrë nuk hoqa dorë nga ajo ëndërr.

Fatkeqësisht dje ëndrra mbaroi. Nuk ia vlen të reagosh në çaste të nxehta. Thjesht dua që të gjithë ta dini se shumë është thënë, shumë është shkruar, shumë është spekuluar, por përkushtimi im ndaj Portugalisë nuk ka ndryshuar për asnjë moment. Unë isha gjithmonë një që luftoja për objektivin e të gjithëve dhe kurrë nuk do t’ia ktheja shpinën kolegëve dhe vendit tim.

Tani për tani nuk kam më shumë për të thënë. Faleminderit Portugali. Faleminderit Katar. Ëndrra ishte e bukur derisa zgjati... Tani, po shpresojmë që koha të jetë këshilltar i mirë dhe të lejojë secili të nxjerrë përfundimet e veta.

Lajme të ngjashme