Ronaldo po i injoron edhe telefonatat e miqve rreth të ardhmes së tij në Manchester United, thotë Nani
E ardhmja e Cristiano Ronaldos në Manchester United po vazhdon t’i mbizotërojë ballinat e mediave, dhe Nani ka zbuluar se madje as miqtë më të afërt të superyllit portugez nuk po janë në gjendje të marrin përgjigje nga ai për planet e së ardhmes.
Nani ka thënë se Ronaldo është duke i injoruar thirrjet dhe mesazhet e miqve të vet.
Raportohet se pesë herë fituesi i Topit të Artë është duke bërë përpjekje për t’u larguar nga Old Trafford, pasi është i etur për të vazhduar të luajë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ri 2022/23, gjë të cilën nuk mund t’ia ofrojë Unitedi.
Ronaldo ka dyshime për aftësitë e djajve të kuq për të fituar trofe në sezonin e ri, prandaj i ka kërkuar menaxherit të vet t’ia gjejë një skuadër të re, por ai nuk i ka bërë të ditura qëllimet e tij në publik dhe madje nuk po i bën as për personat që e njohin shumë mirë nga afër.
Nani, i cili luajti përkrah Ronaldos në United dhe në ekipin kombëtar të Portugalisë, ka thënë për Mirror: “Kur është në pushim, ai nuk i përgjigjet në telefon askujt! Tentova të flas me të, por ai më tha, ‘jam shumë i zënë tani, flasim së shpejti’.”

A do të qëndrojë Cristiano Ronaldo në Manchester United?
Derisa Erik ten Hag thotë se Ronaldo nuk është në shitje, asgjë nuk i ka ndalur thashethemet që e lidhin atë me Chelsean, Paris Saint-Germainin, Bayern Munichun dhe Sportingun, por Nani shpreson se miku i tij i afërt do të qëndrojë aty ku është.
Nani theksoi: “Ai është lojtar i rëndësishëm dhe lojtar që gjithmonë e bën dallimin. Shpresoj se ai është në humor të mirë për ta ndihmuar klubin, prandaj shpresoj se ai do të qëndrojë”.
Mbajtja e Ronaldos në klub do të jetë tejet e rëndësishme për synimet e Unitedit për sezonin e ri, duke qenë se është e vështirë të gjejë një zëvendësues për të në sulm.
Deri tani, Unitedi i ka afruar Lisandro Martinez dhe Tyrell Malacia për ta përforcuar skuadrën, por mesfusha dhe sulmi ende kanë mbetur pa ndonjë përforcim.
