Ronaldo në vitin 2015: Dua të pensionohem me dinjitet, jo në Katar, Dubai apo ShBA
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, tashmë ka kompletuar transferimin e tij rekord në skuadrën nga Arabia Saudite, Al Nassr, ku për dy vite do të fitojë rrogë marramendëse, prej 200 milionë eurove në vit, por në vitin 2015 ai gjatë një emisioni kishte thënë se dëshiron ta mbyllë karrierën me dinjitet e jo në vende si Katari, Dubai apo ShBA, ku futbolli ende nuk ka arritur në nivelin e duhur.
Ish-ylli i Real Madridit asokohe ishte pjesë e një dokumentari, premiera e të cilit do të mbahej në Londër, dhe gjatë një interviste për ITV në emisionin Jonathan Ross Show, ai thoshte se do të luante gjashtë apo shtatë sezone më shumë duke shpresuar se do t’i jepte fund karrierës në nivelin më të lartë.
Vërejtjet me sa duket i referoheshin valës së fundit të lojtarëve kryesorë që kanë përfunduar karrierën e tyre jashtë ligave më të mira evropiane, mes tyre yjet që shkuan në MLS-së si, Didier Drogba, Steven Gerrard, Frank Lampard, Andrea Pirlo dhe David Villa, së bashku me Xavin, mesfushorin i cili qëndroi në vetëm një skuadër atë të Barcelonës, deri në nënshkrimin me klubin nga Katarit Al Sadd.

“Kjo nuk do të thotë se është një lojë e keqe në ligat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Katarit apo Dubait, por unë nuk e shoh veten atje”, tha Ronaldo.
Ronaldo në vitin 2015 ishte 31 vjeç dhe po atëherë u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Real Madridi dhe kishte mbledhur tre Topa të Artë.
Gazetari, Grant Wahl, që vdiq gjatë mbulimit të një ndeshje në Kampionatit Botëror të Katarit, në mars të vitit 2015 raportonte se Ronaldo kishte vendosur të largohej nga futbolli evropian për të kaluar në MLS pas përfundimit të kontratës në vitin 2018, madje duke përmendur edhe një qytet si Los Angles, si të preferuarin e portugezit.
Sidoqoftë, Cristiano Ronaldo, qëndroi deri në verën e vitit 2022 në nivelin më të lartë të futbollit, ku pas Real Madridit kaloi në Juventus e pastaj erdhi në Manchester United për një histori të dytë, e cila e pati fundin e keq.
37-vjeçari tani do të luajë deri në vitin 2025 në ligën e Arabisë Saudite, për Al Nassr, duke u bërë futbollisti më i paguar në botë, megjithatë ky klub nuk është as më i madhi në shtetin e pasur në perëndim të kontinentit aziatik.

