Ronaldo i pavërejtshëm në fushë, Al-Nassr eliminohet në gjysmëfinale të Superkupës së Arabisë Saudite
Cristiano Ronaldos nuk i ka shkuar aspak mirë as ndeshja e dytë zyrtare me Al-Nassr. Skuadra e tij humbi 3:1 kundër At-Ittihad në gjysmëfinale të Superkupës së Arabisë Saudite.
Vetëm një goditje në portë dhe një driblim i qëlluar në më shumë se 90 minuta lojë. Shumë pak për Ronaldon, që la shije të hidhur sërish me skuadrën e re.
37-vjeçari u afrua me shumë bujë, për shkak të kaluarës së tij të lavdishme si futbollist, por tek Al-Nassr ai që po vazhdon ta bëjë dallimin është dikush tjetër. Bëhet fjalë për sulmuesin brazilian Talisca, që edhe sot shënoi golin e vetëm për skuadrën arabe.
Në përgjithësi Ronaldo nuk ishte shumë i përfshirë në aksione, megjithëse Al-Nassr qarkulloi më shumë topin dhe kishte më shumë mbizotërim në lojë.
Al-Ittihad fitoi si rezultat i një pragmatizmi më të madh që vuri në pah, i ndihmuar paksa edhe nga mbrojtja e ngathtë e Al-Nassr. Tre golat e saj erdhën kryesisht pas kundërsulmeve të mirëndërtuara.
🎶 فــرحــة العـاشـق كبيـــــــرة 😍💛 pic.twitter.com/caF953x68E
— نادي الاتحاد السعودي (@ittihad) January 26, 2023
Romarinho në 15’ dhe Hamdallah në 45’ dyfishuan epërsinë për At-Ittihad. Më pastaj Talisca në 67’ i dha paksa shpresë skuadrës së tij për t’u rikthyer në lojë. Mirëpo, krejt në fund, në minutën 90+4’ ishte Shanqeeti ai që shënoi për 3:1, duke vulosur fitoren e “verdhezinjve”.
Pas kësaj humbje, Al-Nassr u eliminua nga Superkupa e Arabisë Saudite. Në finale, falë fitores së korrur sot, u kualifikua pikërisht Al-Ittihad.
Sa i përket Ronaldos, kujtojmë se edhe në paraqitjen e tij debutuese që bëri javën e shkuar nuk është se kishte bindur. Ajo ishte vlerësuar si e zbehtë. Me raste të caktuara kishte shfaqur edhe probleme në ndalim të topit.
