Roma i rikthehet fitores në kampionat falë shkëlqimit të Paulo Dybalas
Paulo Dybala me një gol dhe një asist ka qenë më meritori për fitoren që Roma e arriti në udhëtim kundër Empolit me rezultat 1:2.
Për Mourinhon ndeshja e sotme ishte e një rëndësie të veçantë, pasi këmbëngulte që të dilte me tre pikë të plota. Këtë gjë të besuarit e tij e arritën me mjaft sukses.
Në 70 minutat e para ndeshja ishte shumë e rivalizuar, me një ekuilibër të madh në fushë, por ishte fraksioni i fundit i ndeshjes ai që i dha Romës stabilitetin e duhur për të triumfuar në Toscana. Për më tepër, skuadra kryeqytetase mund të fitonte me një rezultat akoma më domethënës po të shënonte Pellegrini penalltinë në minutën e 77-të.
Me këtë fitore Roma e ngushton epërsinë me skuadrat që ndajnë kreun e tabelës. Fakti që Abraham është rikthyer te goli është një tjetër indikator pozitiv që u shënua sot për ekipin e trajnerit portugez.
Raporti i ndeshjes Empoli Roma
Roma vinte nga një periudhë e vështirë sa i përket rezultateve të arritura, nëse kemi parasysh humbjet e shënuara kundër Udinese dhe Ludogorets.
Mirëpo skuadra e Romës e nisi mirë ndeshjen, duke qenë proaktive në sulm. Qasja e tillë reflektoi pozitivisht, pasi në minutën e 17-të Paulo Dybala gjeti golin nga një distancë prej 20 metrave, duke shënuar një gol mjaft të bukur.
Roma nuk ia doli që ta mbante ritmin e njëjtë të lojës sikurse në fillim. Empoli u ringjall dhe provoi që të ndërtonte aksionet e saj të rrezikshme, ashtu edhe siç njihet si një skuadër që aplikon futboll të bukur.
Pak minuta para se të mbyllej pjesa e parë, një harkim i Stojanovic nga këndi i djathtë i fushës gjeti të lirë Bandinellin, i cili shënoi nga afërsia për ta barazuar rezultatin.
Në pjesën e dytë ndeshja ishte shumë e ekuilibruar. Asnjëra nga skuadrat nuk është se hynë në fraksionin e parë të kësaj pjesëloje me një vëllim loje të madh, aq sa për të krijuar ndonjë rast shënimi që do t’ia vlente të përmendej.
Sidoqoftë, vizioni i sulmuesit argjentinas, Paulo Dybala, në minutën e 71-të bëri sërish dallimin. Ai gjeti të lirë Abrahamin, duke e shërbyer me një harkim të mirë në shtyllën e dytë. Nga afërsia sulmuesi anglez nuk gaboi dhe riktheu Romën në epërsi.
Roma solli energji të reja në fushë me anë të disa zëvendësimeve që bëri në vazhdim. Dhoma e gjyqtarëve në VAR në minutën e 76-të akordoi një 11-metërsh në favor të Romës. Nga pika e bardhë nuk u tregua i saktë fantazisti Pellegrini, i cili shtypi topin në shtyllën e lartë, duke shpërdoruar kështu një mundësi të artë shënimi.
Edhe pse Roma nuk e shënoi golin e qetësisë me Pellegrinin, ajo ia doli që mjaft mirë ta menaxhonte epërsinë në rezultat deri në përfundim të ndeshjes.
Kësisoj, skuadra “verdhë e kuqe” i rikthehet fitores në Serie A, duke shkuar në kuotën e 13 pikëve, për t’u renditur në pozitën e 5-të në tabelë. Në anën tjetër, Empoli zë pozitën e 16-të me 5 pikë të grumbulluara.

