Rivalja e Kosovës, Bjellorusia mund të përjashtohet nga kualifikimet për Euro 2024
UEFA nuk e ka hedhur poshtë mundësinë të ndërmarrë veprime shtesë kundër kombëtares bjelloruse – e cila është rivale e Kosovës në Grupin I kualifikues për Euro 2024 – për shkak se Bjellorusia dërgoi trupa ushtarake pranë ushtrisë ruse afër Ukrainës të hënën.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha dje se i kishte urdhëruar forcat e vendit t’i bashkoheshin ushtrisë ruse, duke pretenduar se Ukraina kishte planifikuar sulm ndaj vendit të tij.
“Sulmet ndaj territorit të Bjellorusisë jo vetëm që po diskutohen sot në Ukrainë, por edhe po planifikohen. Liderët e tyre po bëjnë trysni për të nisur një luftë kundër Bjellorusisë për të na tërhequr me vete”, tha Lukashenko.
Lukasheknu nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këto pretendime, megjithatë.
Bjellorusia është aleat i madh i Rusisë dhe varet financiarisht dhe politikisht nga mbështetja e saj.
UEFA ka konfirmuar se është duke e vëzhguar vazhdimisht gjendjen në Bjellorusi dhe nuk e hodhi mposhtë mundësinë për të ndërmarrë veprime të tjera kundër këtij vendi.
“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi në mars që të mos lejojë zhvillimin e ndeshjeve në territorin e Bjellorusisë deri në një njoftim tjetër”, ka thënë UEFA për The Athletic.
“Që prej atëherë, UEFA e ka monitoruar gjendjen dhe vendime shtesë mund të ndërmerren sipas nevojës”, nënvizoi UEFA.
Rusia është përjashtuar tashmë nga Euro 2024, i cili do të mbahet në Gjermani, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ajo është përjashtuar edhe nga Kupa e Botës 2022 në Katar për shkak të luftës në Ukrainë.

Bjellorusia nuk është përballur me ndëshkim të tillë deri tani dhe ajo ishte pjesë e shortit për kualifikime për Euro 2024, i cili u mbajt të dielën.
Ajo është në Grupin I bashkë me Kosovën, Rumaninë, Zvicrën, Andorrën dhe Izraelin.
Bjelorrusia është lejuar të garojë deri tani, por pa tifozë dhe jo brenda shtetit të vet.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë ka bërë thirrje që Bjellorusia të përjashtohet nga Euro 2024.
