Reeves: Deputetët konservatorë bënë presion që BBC-ja ta suspendonte Linekerin
Laboristja Rachel Reeves ka kritikuar deputetët konservatorë për “presion” ndaj BBC-së për ta suspenduar Gary Linekerin.
Ajo i tha Sky-it në programin e së dieles këto fjalë:
“Nuk do ta kisha përdorur gjuhën që e përdori Gary Lineker. Por a mendoj që ai duhej të hiqej nga televizioni ku komentonte futboll? Jo, nuk mendoj,” – u shpreh ajo, përcjell The Guardian në mbulimin e saj live të kësaj ngjarjeje.
Reeves më tej shtoi se deputetët konservatorë nuk kishin asgjë për të thënë kur kryesuesi i BBC-së, Richard Sharp, u zbulua që kishte ndihmuar në lehtësimin e një huaje për Boris Johnsonin, ish-kryeministrin britanik.
“Njerëzit që mendoj se kanë faj këtu janë deputetët konservatorë dhe ministrat që u reshtuan për të kritikuar Gary Linekerin, duke e vënë nën presion BBC-në...” – shtoi ajo.
“Ky është prioriteti i konservatorëve tash – do luftëra kulturore, në vend të interesave dhe bengave të njerëzve në jetën e tyre të përditshme. Kjo është thjesht gabim.”
