O sa keq me qenë shqiptar: Legjendat e futbollit anglez në luftë duke mbrojtur refugjatët shqiptarë, politikanët në gjumë
“Jemi një,” – themi për çdo 28 nëntor. Por, këto ditë qëndruam krejt të heshtur derisa betejën për shqiptarët nga Shqipëria që janë refugjatë në Britani po e bënin legjendat e futbollit anglez. Çka ndodhi?
“Projektligji i Ri për Emigracionin e Paligjshëm,” – u njoftua nga Sekretarja Suella Braverman. "Boll është boll. Është koha të ndalim varkat!" - tha në fund ajo. Ku ishte problemi?
Shumë shqiptarë nga Shqipëria kanë marrë rrugë për në Britani gjatë vitit të fundit me anije të vogla. Shqiptarët ishin bindshëm të parët në një listë të fundit për vitin 2022, madje edhe para vendeve nga zonat e krizave si Afganistani, Iraku e Siria.
Legjenda e futbollit anglez dhe analisti i BBC, Gary Lineker, e quajti gjuhën e përdorur dhe politikën e qeverisë konservatore si “pamatshëm mizore” ndaj emigrantëve. Në një postim tjetër, ai do të shkonte edhe më larg në kundërshtim të politikës mizore të qeverisë së Rishi Sunak duke thënë këto fjalë:
“Nuk ka dyndje të madhe (të njerëzve me varka). Ne marrim shumë më pak refugjatë se çdo shtet tjetër i madh evropian. Kjo është thjesht një politikë pamatshëm mizore e drejtuar kah njerëzit më të lëndueshëm me një gjuhë që nuk është e ndryshme nga ajo që përdorej në Gjermani në vitet ’30, dhe ju më thoni mua që po flas keq?”
E dini kush ishte në pushtet gjatë viteve ’30 në Gjermani? Eh, ja qëlluat: Adolf Hitler dhe Partia Naziste.
Lineker ishte pezulluar nga puna e tij pas këtyre komenteve, derisa BBC-ja ka rrëshqitur në një kaos të rrezikshëm. Edhe legjendat tjera angleze si Alan Shearer dhe Ian Wright u solidarizuan me ish-yllin e Barcelonës dhe për këtë vikend vendosën që të mos kryenin punën. E më pas edhe komentatorët. Programet që përcjellin Premier Ligën në BBC u anuluan, duke çuar në një situatë të paparë.
Shqiptarët
Emigrantët shqiptarë, siç shkruante The Guardian para pak ditësh, po vuanin edhe nga paragjykimet e krijuara prej gjuhës që po përdoret kundër tyre në politikën dhe mediat britanike.
“Njerëzit po thonë që ne jemi kriminelë,” – tha një tinejxher nga Shqipëria. “Nuk është kohë e mirë të kërkosh punë nëse shkruan se jeni shqiptar në CV-në tuaj,”
Këta shqiptarë që po vinin në atë mënyrë në Britani, po vuanin mizorisht eksploatim brutal edhe pas ardhjes në këtë vend sipas po këtij artikulli.
Politikanët
Politikanët nga Kosova shquhen për përdorimin e kartës nacionaliste (etnike) kurdo që kanë mundësi. Sidoqoftë, kësaj here duket se e gjithë situata e krijuar i zuri të fjetur.
Shpend Ahmeti, ish-kryetari i Prishtinës, e bëri një koment të shkruar duke e cilësuar vendimin e BBC-së “si në Ballkan”, fatkeqësisht duke i përforcuar edhe më shumë stereotipet për Ballkanin dhe shqiptarët. Për më keq, Ahmeti në asnjë rresht nuk përmendi shqiptarët nga Shqipëria, të parët në listën e emigrantëve për të cilët efektivisht u bë gjithë kjo potere.
Kryeministri kosovar Albin Kurti nuk foli asgjë. Ndërkohë, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se shqiptarët po përdoreshin si “kurbanë” për politikat e dështuara kufitare të Britanisë. Sipas tij, Britania ishte bërë si “çmendinë” sa i përket integrimit të minoriteteve.
Edhe ish-kandidati për kryeministër dhe ish-kreu i Partisë Laboriste, Jeremy Corbyn ka mbrojtur fuqishëm qëndirmin e Gary Lineker për refugjatët.
“Tash, le të mobilizohemi kundër politikave të mizorisë, dhe të mposhtim këtë legjislacion çnjerëzor, të paligjshëm dhe imoral,” – ka shkruar së fundi ai.
