Real Madridi pa Luka Modricin në finale të kupës dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve
Luka Modric do të mungojë për Real Madridin në finale të Kupës së Mbretit kundër Osasunës, për shkak të një lëndime në ije, dhe është në dyshim edhe për ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Manchester Cityt.
Modrici, i cili luajti 63 minuta në disfatën befasuese të Madridit 4:2 kundër Gironës të martën, nuk u stërvit me bashkëlojtarët të premten.
“Pas testeve të kryera ndaj Luka Modricit nga shërbimi mjekësor i Real Madridit, një lëndim në pjesën e pasme të ijës së majtë është diagnostikuar”, tha klubi në një komunikatë për media.
Portieri Thibaut Courtois dhe sulmuesi Karim Benzema – të cilët munguan në humbjen e së martës – janë kthyer në stërvitje, por Madridi është ende në pritje të mbrojtësve të lënduar David Alaba dhe Ferland Mendy.
“Modrici e ka një lëndim të lehtë. Jemi duke e vëzhguar. Nuk e di nëse ai do të kthehet për finalen e kupës. Duhet ta vlerësojmë. Dhemb, por gjëra që ndodhin. Të shpresojmë se ai do të riaftësohet”, tha trajneri Carlo Ancelotti të premten.
Ai shtoi: “Mbase ne do të detyrohemi t’i zëvendësojmë të dy (të pezulluarin Eder Militao dhe Modricin) në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Militaon gjithsesi. Për Modricin të shpresojmë”.
