Rasti i njëjtë si me Dion Berishën: Drilon Hazrollajt s’i lejohet të luajë në këto kualifikuese për Shqipërinë U21
Sulmuesi i Malishevës Drilon Hazrollaj është lojtari më i fundit që ka vendosur ta ndryshojë fanellën kombëtare, duke zgjedhur Shqipërinë.
Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi vazhdon t’i “joshë” lojtarët e Kosovës, me Hazrollaj që duket se e sheh Shqipërinë si hapin e radhës në karrierë.
Megjithatë, njësoi si sulmuesit Dion Berisha as lojtarit të Malishevës nuk do t’i lejohet të luajë për Shqipërinë U21 në kuadër të këtyre kualifikuesve.
Thënë më thjesht, 19-vjeçari kishte zhvilluar 73 minuta në humbjen 3:0 ndaj Polonisë U21 andaj me rregullat e reja të UEFA-s, Hazrollaj s’ka të drejtë të luajë për Shqipërinë në këto kualifikuese.
Megjithatë, sulmuesi mund ta ndihmojë Shqipërinë U21 në kuadër të kualifikuesve së vitit 2025, gjithmonë nëse s’i mbush 21 vjet pa nisur këto ndeshje zyrtare.
Rast identik i kishte ndodhur edhe sulmuesit së Bayern Munich II, Dion Berishës, që e kishte refuzuar ftesën e Afrim Tovërlanit duke zgjedhur Shqipërinë U21.
Babai i tij Ekremi në një intervistë për Nacionalen patë deklaruar se djali i tij ishte dëshpëruar me FFK-në.
“Vitin e kaluar Dioni është dëshpëruar prej Federatës, sepse s’ka luajtur shumë, pra tërë sezonin i ka pasur diku 150 minuta te Augsburgu dhe askush nga Federata s’e ka telefonuar me e pyet nëse është gjallë, i lënduar apo cili është problemi”.