Raportohet se Andi Hoti ka kompletuar huazimin te Freiburg
Gjatë mbrëmjes në Itali mediet kanë filluar të shkruajnë për një kalim të Andi Hotit te Freiburg në formë huazimi.
Andi Hoti, qendërmbrojtësi i Kosovës U21, i cili ndër të tjera deri në sezonin e fundit ishte pjesë e juniorëve të Inter në kampionatin Primavera, është fare pranë ta kompletojë huazimin te klubi jugor gjerman Freiburg.
Kalimin te Freiburg i pari e raportoi gazetari italian, Nicolò Schirà, përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social Twitter, ku shpjegoi se tashmë është arritur marrëveshja mes dy klubeve për huazimin e Hotit për një vit.
Dy vite të kaluara tek Inter
Andi Hoti ka qenë lojtari që ka udhëhequr fazën mbrojtëse të juniorëve të Interit në dy vitet e fundit. Në edicionin që lëmë pas ai ishte nën urdhrat e trajnerit Chivu, dikur mbrojtës i skuadrës zikaltër.
Andi Hoti u pa në fazën përgatitore të ekipit të parë të Inter edhe këtë vit. Një gjë e njëjtë ndodhte edhe vitin e kaluar, kur ai grumbullohej si shpërblim i paraqitjeve të mira që kishte treguar gjatë gjithë sezonit.
Me Interin në këto dy vite mbrojtësi 19-vjeç rahovecas ka luajtur qoftë në mbrojtjen e rreshtuar me 3 apo me atë me 4. Në shumicën e rasteve ai është paraqitur si qendërmbrojtës.
Vetëm te Kombëtarja e Kosovës U21 ai ka luajtur si mbrojtës i krahut të djathtë dhe shumë pak në pozitën e tij natyrale.
Në tërësi në kampionatin e Primavera ai ka zhvilluar 37 paraqitje. Në përgjithësi vlen të theksohet fakti që ka qenë titullar i pakontestueshëm.
Gjatë verës së kaluar Interi e kishte lutur që të luante edhe për një vit në kampionatin junior, ndonëse disa oferta nga skuadrat e Serie B vetëm se ishin paraqitur për të, gjithmonë për ta pasur në radhët e veta në formë huazimi.

