Radja Nainggolan pezullohet nga futbolli pasi u kap duke pirë duhan në stolin e klubit - NACIONALE

Radja Nainggolan pezullohet nga futbolli pasi u kap duke pirë duhan në stolin e klubit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori belg Radja Nainggolan është pezulluar për kohë të pacaktuar nga Royal Antwerp për shkak se kishte pirë duhan në stolin e klubit.

Ish-ylli i Romës dhe Interit – i cili ishte titullar në triumfin e Antwerp 2:0 kundër Dritës në Prishtinë në kualifikime për Ligën e Konferencës në gusht – është duke vazhduar t’i pushtojë ballinat e gazetave në atdheun e vet këtë sezon.

Pasi u arrestuar së fundmi për vozitje me patentë shofer të skaduar, Nainggolan është kapur duke pirë cigare në stolin e klubit para disfatës së Antwerpit 3:0 kundër Standard Liege të dielën.

Antwerpi njoftoi se ka vendosur ta përjashtojë 34-vjeçarin nga ekipi i parë për një kohë të papërcaktuar.

“RAFC bisedoi sot me Radja Nainggolanin për sjelljen e tij të përgjithshme dhe se si sjelljet e tij të caktuara reflektojnë në klub dhe në grupin e lojtarëve. Klubi ka vendosur ta përjashtojë Radjan nga ekipi A për kohë të papërcaktuar”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Marrëveshje të qarta janë bërë po ashtu për atë se çfarë bën klubi ynë dhe çfarë nuk pret nga lojtarët e vet. As lojtari e as klubi nuk do të komentojnë më shumë mbi këtë çështje”.

Por Nainggolani ka reaguar ndaj pezullimi përmes një postimi në rrjetin social Instagram, duke e quajtur vendimin tepër të rëndë.

“Klubi ka marrë vendim dhe unë mund vetëm ta pranoj atë, edhe pse mendoj se mund të jetë paksa tepër i rëndë për mua. Por do të përpiqem të kontribuoj në një mënyrë apo tjetër”, shkroi ai.

Mesfushori luftarak, i cili kurrë nuk e ka fshehur reputacionin e “djaloshit të keq”, kishte thënë në të kaluarën se futbollistët duhet të lejohen të pinë cigare.

“Unë mund të thith cigare me qetësi. Edhe futbollistët mund të pinë cigare, edhe në qoftë se nuk e kanë një ‘punë normale’”, kishte thënë Nainggolan për France Football për sjelljen e tij jashtë fushës.

Lajme të ngjashme