“Qysh i thua njeriut familjar po rren? Të kallëzoj mas emisionit” - Si eskaloi debati në studion e sportit deri në përleshje jashtë saj
Një debat televiziv rreth çështjes së licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës përshkallëzoi aq shumë brenda studios saqë përfundoi me një përleshje të dyshuar jashtë saj.
President i Trepçës ’89, Abedin Zeka, dhe trajneri Faruk Statovci, u fjalosën gjatë debatit duke e kthyer çështjen në personale dhe hodhën akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit.
FFK-ja po has në telashe për të marrë licencën nga Ministria e Sportit dhe kjo ishte çështja e diskutimit në emisionin “Kampionët” në Kanal 10 të dielën mbrëma. Pa licencë të federatës, klubet e futbollit nuk do të mundë të përfitojnë nga ndihma dhe lehtësirat që ofron ligji për sponsorizim.
Derisa Statovci, trajner i KEK-ut në Ligën e Parë, po fliste për takimin e disa klubeve të shqetësuara me gjendjen, për të cilën ai beson se nuk është shqetësuese, Zeka i reagoi: “Çka ka folur klubi i Ferizajt. Pse përmend emra”.
Statovci ia ktheu: “Nuk e pata me ty. Mos m’u drejto mua.”
Zeka: “Kush je ti mos me t’u drejtu? Pse po rren?”
Statovci: “Kurrë mos m’u drejto mua. Jam shumë më i madh se ti unë. Në të gjitha aspektet”
Zeka: “Tash mas emisionit të kallëzoj unë ty kush është më i madh e ma i vogël”.
Statovci: “Qysh i drejtohesh njeriut familjar me fjalën po rren? Qysh i drejtohesh njeriut po rren?”
Zeka: “Qitash kryhet emisioni e shohim.”
Statovci: “Po lë të kryet, vetëm atij nalt (zotit) i frikësohem. Ai ma ka dhanë shpirtin”.
U raportua se Zeka dhe Statovci e vazhduan fjalosjen edhe pas emisionit dhe se ajo përshkallëzoi në një përleshje fizike.
Në një reagim të dielën pas mesnatës, Kanal 10 konfirmoi se mes Zekës dhe Statovcit kishte konfrontim fizik pas emisionit.
“Debati i tensionuar, fatkeqësisht ka vazhduar edhe pas përfundimit të emisionit. Megjithatë, të ftuarit e tjerë dhe stafi kanë ndërhyrë për të evituar atë që s’duhet të ndodhte mes zotërinjve Zeka dhe Statovci”.