Pse po hesht Tahir Batatina për zgjedhjet kontroverse në FFK?
Trajneri i Llapit Tahir Batatina ka zgjedhur të heshtë midis zhurmës dhe polemikave më të mëdha për zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Federatën e Futbollit të Kosovës.
I njohur si ndër kundërshtarët më të zëshëm të presidentit të tanishëm të FFK-së, Agim Ademi, jo më larg se para dy viteve Batatina e kishte quajtur atë mercenar dhe e kishte akuzuar se po e mbante të uzurpuar zyrën.
Pra, pse po hesht Batatina tani?
“Hiç s’e kam ndër mend të përzihem më. E kam ndër mend m’u marr vetëm me pjesën profesionale të futbollit dhe nuk dua të përzihem. Ai që zgjidhet do ta përkrahim maksimalisht. Ishalla zgjidhet ai që e ka programin më të mirë për kryetar”, tha Batatina për Gazetën Nacionale.
Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur programet e tyre.
Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Vendimi i FFK-së për të thirrur zgjedhje të reja pa ndonjë arsye ligjore, duke qenë se Ademit s’i mbaron mandati katërvjeçar deri në korrik, po shihet si një përpjekje dëshpëruese e tij për ta ruajtur postin deri më 2026.
“Unë nuk jam shumë jurist dhe nuk e di qysh kanë mundur të shkelen ato nene. Unë gjithmonë kam insistuar në interes të futbollit dhe gjithmonë ka me qenë në interes të futbollit. Nuk dua të përzihem në zgjedhje për momentin, dua të merrem me pjesën profesionale. Lë të zgjidhet kush është më i miri, është interes i futbollit”, tha Batatina.
Çfarë ndodhi saktësisht në dy vite që prej rrëmujës që Batatina e shkaktoi në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së?
Batatina e kishte shkaktuar një rrëmujë të madhe në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së në janar të vitit 2020, duke u tentuar ta pengojë edhe fizikisht procesin e emërimit të anëtarëve të rinj.
“Statuti po shkelet, kryetarit me 15 janar i ka përfunduar mandati, tani del dhe na qet lajthitje si ka ndodhë edhe në Kuvendin ku u zgjedh, ku ka qene mandati i vazhduar dhe jo 4 vjeçar”, kishte thënë Batatina në fjalimin e tij në Kuvend Zgjedhor të FF-së.
“Nuk mund të zgjidhet KE kur e kemi një kryetar, në çdo dy vite duhet të shkojmë në zgjedhje – kështu s’ka askund në botë. Ne po avancojmë e po investojnë, tjerët për interesa po e mbajnë të uzurpuar FFK. Kryetari na ka sjellë vet pikat, ne e dimë që kjo është një garë.”
Në një postim në llogarinë e vet në Facebook një ditë pas kuvendit, 44-vjeçari e kishte quajtur mercenar Ademin.

Megjithatë, Batatina ka ndryshuar qasje ndaj Ademit dhe Federatës që prej atëherë.
Prej asaj kohe, stadiumi i Llapit “Zahir Pajaziti” në Podujevë u rinovua plotësisht falë edhe një ndihme të madhe nga FFK-ja, në vlerë prej 150 mijë eurove, siç e ka konfirmuar vetë Batatina. Llapi u kthye për t’i zhvilluar ndeshjet në shtëpi në këtë fushë nga shkurti i këtij viti.
Llapi po ashtu e fitoi Kupën e Kosovës për herë të parë në historinë e klubit në vitin 2021 si dhe e siguroi mundësinë e parë ndonjëherë për të marrë pjesë në kualifikime për një garë evropiane.
Ndërkohë, Agim Ademi - i cili është duke e kërkuar edhe një sundim të ri katërvjeçar si shef i futbollit kosovar midis telasheve me ligjin - kundërshtar në zgjedhjet e 6 prillit do ta ketë Gramoz Vokrrin, djalin e legjendës së futbollti shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrrin.
Ademi, i cili e mori në dorë federatën pas vdekjes së Vokrrit më 2018, është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë dhe në hetime nën dyshimet për kurdisje.