Pronari i Chelseat: Nuk e shkarkuam Tuchelin për shkak të humbjes kundër Dinamo Zagrebit - NACIONALE

Pronari i Chelseat: Nuk e shkarkuam Tuchelin për shkak të humbjes kundër Dinamo Zagrebit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkarkimi i Thomas Tuchel nga pozita e trajnerit të Chelseat ka ngjallë shumë reagim. Pronari i Chelseat në një intervistë të fundit ka deklaruar se humbja ndaj Dinamo Zagrebit nuk ka qenë shkaktar për atë vendim.

Todd Boehly është pasardhës i Abramovichit te Chelsea, por praktika e shkarkimeve të paparashikueshme të trajnerëve nuk është se ka ndryshuar.

Ky kurs u përsërit me rastin e shkarkimit nga puna të trajnerit gjerman, Thomas Tuchel. Ai ishte ndër më meritorët pse Chelsea u shpall kampion në Ligën e Kampionëve në edicionin 2020/2021, duke e sjellë klubin në majën e Evropës.

Një fillim i sezonit me peripeci i kushtoi rëndë atij, pasi drejtuesit e klubit londinez vendosën që ta shkarkojnë. Ky vendim nxiti shumë pakënaqësi te një masë e madhe e tifozëve të Chelseat.

Sqarimi i pronarit Boehly me rastin e shkarkimit të Tuchel

Ishte befasi shkarkimi i Tuchel, ngase nga shumë njerëz vlerësohej i ngutur dhe i pakuptimtë. Mirëpo në lidhje me atë çfarë ka ndodhur ka folur vetë Boehly.

“Problemi nuk ishte humbja kundër Dinamo Zagrebit, por se nuk e kemi ndarë një vizion të përbashkët rreth të ardhmes së klubit. Mendoj që është një trajner ekstremisht i talentuar, ka pasur një sukses të madh me neve, por ishim në kërkim të një menaxheri që njëmend dëshironte të bashkëpunonte me ne. Te Chelsea ka shumë mure që duhen thyer”, deklaroi Boehly për platformën “Salt Conference”.

Todd Boehly e largoi Tuchelin vetëm tre muaj pasi e bleu klubin nga Roman Abramovich.

“Klubi i futbollit Chelsea i ka ndarë rrugët me trajnerin Thomas Tuchel”, thuhet në një njoftim të klubit londinez.

“Në emër të të gjithëve në Chelsea, klubi dëshiron t’i shprehë mirënjohje Thomasit dhe stafit të tij për të gjitha përpjekjet e tyre gjatë kohës me klubin. Thomasi do ta ketë një vend me meritë në historinë e Chelseat”.

Të kaltrit e Londrës i humbën dy prej gjashtë ndeshjeve të para në sezonin e ri në Premierligë, duke i arritur vetëm tri fitore dhe një barazim.

Chelsea pastaj ka prezantuar zyrtarisht se trajneri Graham Potter ka marrë tani "timonin" e klubit londinez.

Përmes një komunikate zyrtare, "Blutë" kanë njoftuar marrëveshjen pesëvjeçare me Potter.

"Chelsea është e lumtur t'iu njoftojë se Graham Potter është trajneri ynë i ri, që na u bashkua për pesë vite që të sjellë futboll progresiv në klub", shkroi klubi anglez.

Pas zyrtarizmit, trajneri i ri deklaroi se mezi pret të bashkëpunojë me lojtarët e rinj të Chelseas dhe të punoj shumë për të rindërtuar një skuadër të fortë.

"Jam duke shikuar përpara që të punoj me këtë grup të lojtarëve dhe rrisim një skuadër që tifozët tanë të mrekullueshëm të jenë krenar".

"Jam shumë krenar dhe i emocionuar që do të përfaqësoj Chelsean. Mezi pres të punoj me atë grup".

Lajme të ngjashme