Prishtina me dy golat e parë këtë sezon në Fadil Vokrri merr fitoren ndaj Ferizajt, Drita me mjaft mund e mposht Dukagjinin
Sot janë zhvilluar dy takimet e para të javës së 11-të të Superligës së Kosovës, ku janë përballur Prishtina – Ferizaj dhe Dukagjini – Drita. Kryeqytetasit kanë arritur të sot të shënojnë për herë të parë në Fadil Vokrri në këtë sezon në fitoren 2:1 kundër ferizajasve, ndërsa gjilanasit fituan me mjaft vështirësi, me rezultat 1:0.
Prishtina - Ferizaj
Prishtina hyri në këtë takim në vendin e katërt në tabelë me 12 pikë aq sa edhe Llapi i pozitës së pestë. Forma e kryeqytetaseve para kësaj ndeshje nuk ishte fare e mirë. Në katër ndeshjet e fundit ata kanë fituar vetëm një takim atë me Malishevën, ndërsa kanë humbur dy herë e kanë barazuar në një.
Gjithashtu edhe Ferizaj nuk po vinte nga një formë e mirë, që pozicionohej në vendin e fundit, ashtu siç është edhe pas kësaj ndeshje.

Prishtina ishte më e mirë gjatë tërë takimit në këtë ndeshje, por edhe Ferizaj kishte mundësitë e saj që shumë lehtë mund ta ndëshkonin skuadrën e Ismet Munishit.
Bardhekaltrit dolën në epërsi shumë herët në këtë takim, ku pas një dalje të gabuar të portieri Leotrim Rexhepi, ishte Leotrim Kryeziu që shënoi për 1:0 në minutën e gjashtë.
Në vazhdim kishte raste nga dy skuadrat por deri në përfundim të pjesës së parë nuk kishte më gola.
Në pjesën e dytë Prishtina realizoi sërish me anë të Kryeziut për dyfishimin e epërsisë në 2:0 në minutën e 67-të.
Mysafirët arritën ta ngushtonin epërsinë në 2:1 në minutën e 83-të me anë të Donat Hasanajt, por kjo ishte e tëra se çfarë ata mund të bënin në këtë takim.

Golat e Kryeziut ishin golat e parë të Prishtinës në Fadil Vokrri këtë sezon, dhe tani kryeqytetasit ngjiten në pozitën e tretë me 15 pikë aq sa ka edhe Gjilani në pozitën e katërt.
Ferizaj në kuotën e tetë pikëve së bashku me Malishevën e Dukagjinin ndajnë fundin e tabelës.
Dukagjini – Drita
Drita në anën tjetër marshon sigurt në elitën e futbollit kosovar.
Gjilanasit gjenden në formë të jashtëzakonshme, ndonëse sot nuk bindën shumë me rezultat duke fituar me rezultat të ngushtë 1:0 në udhëtim te Dukagjini.

Golashënues i vetëm ishte Ardian Limani në minutën e gjashtë të takimit, ku shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga një distancë relativisht e largët, sidomos për një mbrojtës.
Në vazhdim nuk pati gola më dhe Drita merr fitoren e tretë radhazi në Superligën e Kosovës.
Gjilanasit janë në pozitë të parë në tabelë me 27 pikë në 11 ndeshje, gjashtë më shumë se Ballkani në vendin e dytë por që ka tri ndeshje më pak të zhvilluara.
