Prishtina e mposht me penallti Gjilanin dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Kosovës - NACIONALE

Prishtina e mposht me penallti Gjilanin dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në kuadër të Kupës së Kosovës sot janë zhvilluar katër ndeshje të 1/8 së finales, ku Prishtina ka triumfuar në penallti ndaj Gjilanit, Suhareka e ka mposhtur Prishtinën e Re, Malisheva ka eliminuar Feronikelin 74, teksa Vjosa pa probleme e ka kaluar 2 Korrikun.

Padyshim ndeshja më interesante ishte ajo mes Gjilanit e Prishtinës e zhvilluar në stadium me bari sintetik në qytetin e Gjilanit.

Prishtina mbeti me një lojtar më pak qysh në minutën e 18-të kur Kushtrim Gashi u ndëshkua me të kuq. Vendasit filluan dominimin, por dështuan të shënonin.

Gola për 90 minuta nuk pati dhe ndeshja shkoi në vazhdime, ku edhe në 30 minuta të tjerë topi nuk përfundoi asnjëherë në rrjetë dhe si rrjedhojë fati i takimit u vendos në penallti.

Kryeqytetasit ishin më të saktë, me Jalen Blesa, Genc Hamiti, Mergim Pefqeli dhe Egzon Sinani që shënuan nga pika e bardhë, ndërkaq te Gjilani vetëm Elton Cale qëlloi sakt, me Shend Kelmendin dhe Kushtrim Shabanin që dështuan.

Prishtina si rezultat fitoi 4:1 nga penalltitë dhe siguroi një vend në çerekfinale.

Në takimet tjera, Suhareka fitoi 3:1 ndaj Prishtinës së Re. Mevlan Zeka, Yll Hoxha dhe Adam Dougui shënuan për vendasit, teksa goli i vetëm te mysafirët u shënua nga Vigan Ademi.

Feronikeli 74 e priti Malishevën në Drenas, por mysafirët ishin të pakompromisë.

Dreni Kryeziu, Drilon Hazrollaj dhe Entik Burri shënuan në pjesën e parë për 3:0, ndërkaq Feronikeli 74 krejt çfarë bëri ishte një gol në fund, për rezultatin përfundimtar 3:1.

Në takimin e fundit u përballen Vjosa me 2 Korrikun, ku skuadra nga Komuna e Shtimës fitoi 4:1 me golat e realizuar nga Drin Ymeri, Ardian Selimi, Enis Stublla dhe Fidan Gashi, teksa të vetmin te skuadra prishtinase e shënoi Arlind Maqedonci.

Prishtina, Suhareka, Malisheva dhe Vjosa janë katër skuadrat e para që sigurojnë çerekfinalen e Kupës së Kosovës, ndërsa nesër zhvillohen katër takime të tjera ku do të kompletohen çiftet çerekfinaliste.

Lajme të ngjashme