Presidenti i La Ligas: Messi i mungon kampionatit më shumë sesa Ronaldo – uroj të rikthehet
Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka folur për mediumin spanjoll “Movistar+” në lidhje me Lionel Messin, kalimin e tij te Barcelona dhe mundësinë e një rikthimi të bujshëm në klubin katalonas.
Për Lionel Messin ky është sezoni i dytë te Barcelona, por bagazhi i tij si futbollist i madh vazhdon të asocohet me klubin “blaugrana”.
Ai nuk u mungon vetëm tifozëve të Barcelonës, por edhe vetë të parit të La Ligas, Javier Tebas: “Mendoj që Messi nuk i mungon vetëm La Ligas, por të gjithë futbollit, sepse kampionati francez është ai që është.”
Tebasit iu bë edhe një krahasim mes Messit dhe Ronaldos se cili i mungon më shumë kampionatit spanjoll: “Messi më shumë sesa Ronaldo. Mirëpo, janë larguar nga këtu dhe jemi akoma në nivele të larta, a po jo?!”

Kryetari i La Ligas mendon se kampionati është në nivel të ngjashëm, por nuk i bën mirë llogaritë me faktin se në këtë edicion janë tre skuadra spanjolle që janë eliminuar në fazën e grupeve nga Liga e Kampionëve, siç nuk ishim mësuar të shihnim në dy dekadat e fundit.
Pse duhet të rikthehet Messi te Barcelona sipas Tebas?
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, është në fund të kontratës me PSG. E ardhmja e tij pritet të përcaktohet brenda pak muajve.
Mirëpo, për Tebas nuk ka mëdyshje se rikthimi te Barcelona do të ishte më i duhuri. Ai i renditi edhe disa arsye, duke treguar paksa edhe doza mosrespekti për kampionatin francez ku aktivizohet tani përfaqësuesi argjentinas.
“Tani është i ndjekur shumë më pak në krahasim me kohën kur ishte te Barcelona. Uroj që ta luajë një Botëror të madh. Tek aty do të mund ta shikojmë të gjithë. Nëse PSG luan ndaj Nantes, publiku nuk e ndjek. Me Barcelonën është ndryshe”, deklaroi ai.

Tebas nuk është i sigurt nëse Messi do të vendosë që të rikthehet në skuadrën ku fitoi gjithçka, siç është Barcelona. Megjithatë, ai e gjykon si gabim të lojtarit shkëputjen e bashkëpunimit me Barcelonën.
“Nuk e di nëse Messi do të rikthehet. Do të varet nga ai. Unë shpresoj që të rikthehet. Do të ishte edhe një gjë e mirë për të për t’u rikthyer në futbollin spanjoll, në atë që ka qenë gjithnjë skuadra e tij. Besoj që ka qenë një gabim për të që prishi atë bashkëpunim”, përfundoi ai.
Ylli 35-vjeçar në këtë sezon ka zhvilluar 17 paraqitje për klubin parisien, ku ka shënuar 12 gola, ku secili ka qenë më i bukur se tjetri.

