Portugalia me pikë të plota pas nëntë xhirove në kualifikueset EURO 2024, e mposht me rezultat komod Lihtenshtajnin
Kombëtarja e Portugalisë e ka vazhduar rrugën e saj në kualifikueset për EURO 2024 me fitoren e nëntë në po aq takime, tani duke mposhtur Lihtenshtajnin me rezultat 2:0.
Vetëm pak kombëtarja janë të cilat nuk kanë humbur në këtë cikël kualifikues, por fakti që ka të gjitha fitore, flet shumë për një kombëtare shumë të konsoliduar, e që me plot gojë mund të cilësohet si një nga favoritët për të triumfuar në EURO 2024, me një Cristiano Ronaldo në formë të jashtëzakonshme.
Ronaldo sërish ishte vendimtar. Edhe pse në moshën 38-vjeçare, ai po kalon një vit shumë të sukseshëm, si me kombëtaren ashtu edhe me skuadrën e tij Al Nassr.
Ai kontribuoi me golin e parë të takimit, ndërsa golin tjetër e shënoi ylli i Barcelonës, Joao Cancelo.
Pjesa e parë e takimit, ndonëse e dominuar totalisht nga Portugalia, u mbyll pa gola, por 45 minutat e dytë ishin krejtësisht tjetër histori.
Me të filluar pjesa e dytë, Diogo Jota asistoi te Ronaldo, i cili doli shumë mirë në rast dhe shënoi gol të mrekullueshëm për 1:0.
Golin për rezultatin përfundimtar e shënoi Cancelo, që pasi mori një top nga Antonio Silva, bëri një veprim të bukur individual dhe shfrytëzoi një dalje të portierit, për të dyfishuar epërsinë.
Me rezultatin 2:0 përfundoi takimi dhe Portugalia tani nga nëntë xhiro ka 27 pikë, dhe vetëm një takim ka mbetur për ta, kundër Islandës, për të kompletuar një cikël fantastik kualifikues me 30 pikë.
