Policia konfirmon se e ka arrestuar Agim Ademin - NACIONALE

Policia konfirmon se e ka arrestuar Agim Ademin

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Policia e Kosova ka konfirmuar se e ka arrestuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të mërkurën vonë nën dyshimin për sulm fizik ndaj një zyrtari të federatës.

Ademi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht Artan Govorin, drejtorin për marrëdhënie me jashtë në FFK, të mërkurën.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti tha për Gazetën Nacionale të enjten herët se disa persona janë intervistuar për këtë rast dhe se Ademi është ndaluar nga policia.

“Lidhur me këtë rast janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti për Gazetën Nacionale.

Ajo shtoi: “Me datën 16.03.2022 rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë.”

60-vjeçari e ka mohuar sulmin ndaj Govorit.

Govori, i cili është intervistuar nga policia po ashtu, ka folur dy herë publikisht që prej sulmit, duke e akuzuar Ademin se e kishte sulmuar për shkak të një takimi me një zyrtar të pezulluar të federatës.

Në një reagim në llogarinë e vet në Facebook, Govori e akuzoi Ademin se ka porositur njerëz për ta spiunuar dhe se ishte fotografuar nga ta duke e takuar Bajram Zeqirin, një tjetër zyrtar të pezulluar nga Ademi.

“Sulmi që ndodhi sot ndaj meje...arsye është kjo fotografi të cilën ma kanë bërë persona të angazhuar “të paguar” (nga Agim Ademi),fotografi të cilën Agim Ademi ma dërgon një ditë më parë (ditën e martë me datë 15.03.2022). Personi i cili shihet në këtë foto së bashku me mua është një ish punëtor i FFK-së Bajram Zeqiri (i cili poashtu është i suspenduar nga Agim Ademi), me të cilin pata nje takim rasti në qytet”, shkroi Govori në Facebook.

Sulmi i Ademit ndaj Govorit besohet të ketë ndodhur vetëm pak kohë pasi Gramoz Vokrri kishte shkaur në federatë për t'i dorëzuar nënshkrimet e delegatëve në garën për president.

Gramozi, i biri i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri, e ka zyrtarizuar sot kandidaturën për president të federatës së futbollit duke i dorëzuar nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Ademi - i cili është në kërkim të një mandati të dytë katërvjeçar në krye të FFK-së - që i sulmon zyrtarët e federatës

Ai e ka një histori sulmesh ndaj zyrtarëve të institucionit që e udhëheq që prej vitit 2018. Më 2019, ai e kishte sulmuar mjekun e kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Ishte raportuar po ashtu për dy sulme të tij ndaj sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Erol Salihu, të cilin e kishte shkarkuar nga posti më vonë në vitin 2021.

Vetëm katër muaj më parë, Ademi ishte ankuar në polici për një sulm ndaj tij në Parkun e Gërmisë.

Sulmi i fundit i Ademit vjen në një kohë rrëmuje në shtëpinë e futbollit të Kosovës në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sulmet e tij ndaj zyrtarëve të federatës nuk janë telashi i vetëm me ligjin që ai do të përballet

Ai është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë dhe nën hetime për dyshimet se e ka kurdisur një ndeshje të Kombëtares U21 të Kosovës.

Lajme të ngjashme