Policia italiane arreston disa persona pas përleshjeve të djeshme mes tifozëve të Napolit dhe Frankfurtit - NACIONALE

Policia italiane arreston disa persona pas përleshjeve të djeshme mes tifozëve të Napolit dhe Frankfurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tetë persona janë arrestuar pas dhunës mes tifozëve të Eintracht Frankfurt dhe Napolit para dhe pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma.

Policia e Napolit ka njoftuar se pesë tifozë të Napolit dhe tre tifozë gjermanë janë arrestuar pas trazirave të së mërkurës.

Gjatë kësaj përleshjeje gjashtë oficerë policie u plagosën sipas Alessandro Giuliano, i cili është përgjegjës për sigurinë publike në Napoli.

Forcat e rendit janë duke u përpjekur që të identifikojnë 470 tifozë gjermanë që qëndruan në qytet, për të dënuar ata që janë përgjegjës për çrregullimin”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Përplasjet e para ndodhën pasditen e së mërkurës në Napoli duke vazhduar edhe pas ndeshjes, ku Napoli triumfoi lehtësisht me rezultat 3:0 për të siguruar kualifikimin në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori.

Bomba tymi, zjarre, karrige, shishe dhe shtylla metalike u hodhën ndaj policisë e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Më vonë, tifozët e Napolit u filmuan nga mediat italiane duke hedhur objekte në autobusët që transportonin tifozë të Frankfurtit.

Anëtari i bordit te Frankfurtit, Philipp Reschke kërkoi falje pas veprimit të tifozëve: “Na vjen shumë keq për ngjarjet që kanë ndodhur dhe nuk ka absolutisht asgjë për të justifikuar këtë dhunë që është e papranueshme. Kjo dëmton futbollin, dëmton Eintracht Frankfurt dhe dëmton përpjekjet tona për t’u mbështetur për tifozët që duan të shikojnë një lojë pa kufizime në stadium”.

Ndërkohë edhe mbrojtësi i Napolit Juan Jesus kishte disa fjalë për të thënë në lidhje me ngjarjen: “Nuk është e mundur të shihet ende kjo në vitin 2023. Është keq për qytetin dhe keq për futbollin. Njerëzit vijnë, pastaj shkatërrojnë dhe largohen, nuk është gjë e mirë na vjen keq që i shohim këto skena”.

Nëntë persona ishin arrestuar për shkak të telasheve të njëjta në ndeshjen e parë mes Frankfurtit dhe Napolit, që ishte zhvilluar në Itali.

Lajme të ngjashme