Real Madridi dhe Napoli në çerekfinale, dëshpëron sërish Liverpooli - NACIONALE

Real Madridi dhe Napoli në çerekfinale, dëshpëron sërish Liverpooli

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Real Madridi dhe Napoli janë dy çerekfinalistët e fundit të Ligës së Kampionëve, pasi sot në ndeshjet e kthimit mposhtën Liverpoolin dhe Frankfurtin respektivisht në 1/8 e finales, kështu për t’iu bashkuar dhe gjashtë skuadrave të tjera që kanë arritur në këtë fazë më herët.

Real Madridi fitoi me rezultat minimal 1:0 në Santiago Bernabeu ndaj Liverpoolit me golin e Karim Benzemas për ta çuar rezultatin e përgjithshëm në 6:2, ndërsa Napoli fitoi bindshëm 3:0 ndaj Frankfurtit apo me rezultat të përgjithshëm 5:0.

Image

Real Madrid – Liverpool

Mbretërit kanë bërë një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, pas asaj në Anfield javë më parë kur fituan 5:2.

Image

Ndonëse nuk shënuan më shumë se një gol në ndeshjen e kthimit, ata ishin skuadra më e mirë në fushë dhe la përshtypjen që ishte skuadra që ishte në kërkim të rezultatit dhe jo ajo që kishte shënuar pesë gola në ndeshjen e parë.

Edhe Liverpooli arriti të tregohej e rrezikshme me raste, por në të shumtën e kohës, heronjtë e vërtetë të kësaj ndeshje ishin dy portierët, duke pritur shumë goditje.

Goli i vetëm u shënua në minutën e 79-të nga Karim Benzema, pas një gabimi të Van Dijk, ku Vinicius përfitoi nga rasti për të asistuar për sulmuesin francez.

Me rezultat të përgjithshëm 6:2, Real Madridi kalon në mesin e tetë skuadrave më të mira në Ligën e Kampionëve.

Përmbledhja nga ndeshja e kthimit Real Madrid - Liverpool:

Napoli – Frankfurt

Napoli po bën sezon të jashtëzakonshëm në të dy frontet. Pas një sezoni mbresëlënës në Serie A, ku ka krijuar diferencë të madhe me rivalët, edhe në Ligë të Kampionëve ka kaluar në çerekfinale duke shkatërruar Frankfurtin.

Image

Ndeshja në stadiumin Diego Maradona përfundoi me rezultat 3:0, ndërsa rezultati i përgjithshëm nga dy ndeshjet ishte 5:0.

Victor Osimhen shënoi për golin e epërsisë 1:0 në minutat shtesë të pjesës së parë me një shkëputje të lartë në zonë, pas harkimit të bukur nga Politano.

Me të filluar pjesa e dytë Osimhen shënoi të dytin personal për 2:0.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Piotr Zelinski nga penalltia për 3:0.

Përmbledhja nga ndeshja e kthimit Napoli - Frankfurt:

Tetë skuadrat që kanë kaluar në çerekfinale janë: Benfica, Chelsea, Bayern Munich, Milan, Inter, Manchester City, Napoli dhe Real Madrid.

Shorti për çerekfinalet dhe gjysmëfinalet do të hedhet të premten në Nyon të Zvicrës me fillim nga ora 12:00.

Lajme të ngjashme