Pogba refuzon të bëjë autograf në bluzën e Manchester Unitedit - NACIONALE

Pogba refuzon të bëjë autograf në bluzën e Manchester Unitedit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori 29-vjeç, Paul Pogba, pas gjashtë viteve është kthyer sërish te Juventus. Zyrtarizimi pritet të vijë gjatë ditës së hënë. Ndërkohë, ai ka kaluar me sukses testet mjekësore.

Te Manchester United u lirua në vitin 2012 si lojtar i lirë për të përfunduar te Juventus. Si i tillë, prapë pas dhjetë vitesh ndodh e njëjta histori. Pogba nënshkruar kontratën me Juventusin, për ta bërë një rikthesë të veçantë, pas një periudhe jo fort të lavdishme te "djajtë e kuq", ku më shumë kaloi mes kontestimesh dhe kritikave të tifozëve dhe opinionistëve të futbollit anglez.



Rikthimi në Itali ka ngjallë shumë entuziazëm te tifozët e Juventusit, të cilët i kanë dhënë një mikpritje të veçantë atij me të zbritur në Torino, për t'i përfunduar procedurat tjera burokratike para se të vijë momenti i zyrtarizimit të transferimit.

Gjatë ditës së sotme ai kompletoi me sukses testet mjekësore. Pogba u tregua zemërgjerë, duke i përshëndetur shumë tifozë të Juventusit që ishin mbledhur jashtë selisë për ta pritur atë. Ai bëri edhe shumë autografe. Megjithatë, në një moment u tregua rigoroz.

Një tifoz u përpoq që t'ia ofronte bluzën e Manchester United për t'ia dedikuar një autograf.

Në atë moment, Pogba u kap nga kamerat duke thënë "jo, jo". Një refuzim i tillë te tifozët besnikë të Juventusit ngjalli një eufori në rrjetet sociale.



Me këtë gjest ndoshta francezi dëshiroi që ta përcjellte mesazhin që nuk i mungon aspak Manchester United dhe se është ndjerë i mosrespektuar nga ambienti brenda dhe përreth klubit. Kritikat dhe çortimet e ndryshme, si dhe problemet tjera - siç duket janë akoma shumë të freskëta për t'u kapërdirë.

Në çdo rast, te Juventus do të ketë mundësi që të riafirmohet në nivelin që jemi mësuar ta shohim në vitet e tij më të mira në Serie A.

Lajme të ngjashme