"Po luajmë kundër 14 vetave" - Tahir Batatina me akuza të rënda ndaj gjyqtarëve pas humbjeve të njëpasnjëshme të Llapit
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të gjyqtarëve, pas humbjes së skuadrës së tij kundër Ferizajt. Ai përmendi se gjyqtarit kryesor të takimit, Genc Nuzës, i ka mbetur hatri se nuk ka gjykuar në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës, por sipas tij ky nuk është faji i tij dhe kjo nuk duhet ti kthehet në gjykim të dobët ndaj skuadrës së tij.
“Po ndodhë çdo ndeshje. Duhet të luajmë me 14 kundërshtarë. Çdo ndeshje ndërhyrja më e lehtë në zonë akordohet penallti kundër Llapit. Ndoshta dikujt po i pengojnë sukseset e Llapit. Dikujt brenda. Por Llapi nuk do të rri duarkryq”, tha Batatina për Artmotion.
“Nuk jam fajtor që Genc Nuza nuk ka drejtuar finalen. Atij i ka mbetur pikë që nuk ka gjykuar në finale. Sot u anulua goli ynë, nëse del që është ashtu, unë e lë futbollin”, vazhdoi akuzat.
Tutje ai kishte kritika edhe për gjyqtarët në VAR, që sipas tij të njëjtit që lejuan disa ditë më parë të zhvilloheshin takime me fanella të njëjta nga dy skuadrat, tani është në video asistencë në lojën e skuadrës së tij.
“Alban Shala i lë një ditë më parë dy skuadra me fanella të njëjtë dhe sot është në VAR. Arbitrimi i tillë vetëm e dëmton futbollin. Kjo është arsyeja e vetme e humbjes. Goli i dytë i Ferizajt ishte i dyshimtë për ofsajd.”
“Llapi nuk bie poshtë. Llapi ka organizim. Gjynah të dëmtohet Llapi prej atyre që nuk japin asgjë për futbollin, vetëm marrin prej futbolli. Sot nuk kishte penallti, goli na u anulua dhe goli i pranuar i Ferizajt ishte ofsajd. Nuk ka masa ndaj gjyqtarëve. Nëse s’ka gjyqtarë në Kosovë, duhet të marrim gjyqtarë nga jashtë. Por nëse vazhdohet me kësi anime, nuk ka futboll. Kështu vetëm i humbim investitorët”, përfundoi Tahir Batatina i mllefosur.
Humja e Llapit në Ferizaj
Skuadra e Batatinës nuk di për pikë në tre ndeshjet e fundit në kampionat, e sot ai u mposht nga skuadra e promovuar këtë sezon në elitë, me rezultat 2:1.
Kjo flet për një krizë rezultatesh në kampin e fituesit të Kupës së Kosovës në edicionin që lamë pas, pasi ata kanë vetëm një fitore në gjashtë takime sa kanë zhvilluar deri më tani në Superligën e Kosovës, ndërsa kanë edhe dy barazime tjera.
Teksa Llapi është tashmë në krizë, humbjen ia shkaktoi skuadra që nuk kishte asnjë fitore në këtë sezon të elitës së futbollit kosovar, kështu Ferizaj i mori pikët e para të plota në edicionin i sivjetshëm, krahas edhe katër barazimeve dhe një humbjeje.
