“Po i fyen sauditët” – Ferdinand dhe Carragher fjalosen për investimet e Arabisë Saudite në futboll
Fjalosja mes Rio Ferdinandit dhe Jamie Carragherit për investimet e Arabisë Saudite në futboll është përshkallëzuar, pas një videoje të ashpër të legjendës së Manchester Unitedit për Steven Gerrardin.
Carragher, një legjendë e Liverpoolit, i kishte kritikuar lojtarët në pikun e tyre që po shkonin në Arabinë Saudite nga Premierligë, pasi kishte lajme për kalimin e mundshëm të Bernardo Silvës në Lindjen e Mesme.
Lojtarë tjerë të mëdhenj si N'Golo Kante nga Chelsea dhe Ruben Neves iu kanë bashkuar klubeve saudite, gjë që e nxiti Carragherin të thotë se “shpëlarja në sport duhet të ndalet!”
Ndërkohë, ish-bashkëlojtari i tij te Liverpooli, Steven Gerrard, së fundmi u emërua trajner i Al-Ettifaqit.
Kjo gjë nuk i ka ikur Ferdinandit, i cili e ka sulmuar ish-bashkëlojtarin e vet në Kombëtaren e Anglisë, duke i kërkuar ta kritikojë legjendën e Liverpoolit për kalimin në futbollin saudit.
“Jamie, Jamie Carragher, ku je or burrë? Dëgjova shumë fjalë, shumë negativitet për sauditët. ‘Oh Bernardo Sivla, nuk mund ta besoj, ky është turp, duhet hetime për këtë’. Steven Gerrard ka shkuar. Ju e keni pasur zakon t’ia bartni këpucët dhe çantën në Anfield për ndeshje. Djaloshi juaj ka shkuar atje, nuk ke bërë zë për këtë gjë”, i tha Ferdinandi Carragherit në një video.
“Nuk të kam dëgjuar duke thënë sa i zhgënjyer jeni. Dua ta dëgjoj atë (Carragherin) duke thënë ‘nuk mund të besoj Steven ka shkuar atje’. Unë në fakt jam i gëzuar për lojtarët që po shkojnë atje”.
Ai shtoi: “Për shkak se është Arabia Saudite, njerëzit po çmenden, por të gjitha vendet e tjera dhe ligat e kanë bërë pikërisht të njëjtën gjë gjatë viteve të kaluara”.
Carragheri iu përgjigj atij duke thënë: “Kurrë s’e kam kritikuar Silvën, Benzeman, Nevesin, apo SG, nuk më pëlqen që Arabia Saudite po përpiqet t’i blejë futbollistët siç e ka blerë Golfin. E dija se do të reagoje kështu siç ke bërë në Katar. Prandaj refuzove të ishte në ndeshjen hapëse për emisionin Match of the Day, sepse nuk doje ta kritikoje pagatorin tënd”.
Never criticised Silva, Benzema, Neves or SG, I don’t like Saudi trying to buy football like they have Golf.
— Jamie Carragher (@Carra23) July 6, 2023
I knew you’d be all over it @rioferdy5 🤑🤑🤑
like you were in Qatar!
Thats why you refused to do the opening game for @BBCMOTD didn’t want to criticise your paymaster! https://t.co/ibJeNJ5WaU

