Përse Kosova e ka kaq të pazhvilluar tenisin, sportin individual më të popullarizuar në botë? - NACIONALE

Përse Kosova e ka kaq të pazhvilluar tenisin, sportin individual më të popullarizuar në botë?

2 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Tenisi është sporti individual më i popullarizuar në botë dhe ndër sportet më të pasura, nëse jo më i pasuri. Jo shumë larg Prishtinës, vetëm rreth 240 kilometra vijë arjore, në Beograd mund ta gjeni njërin prej atletëve më të famshëm në botë dhe njërin prej tenistëve më të mirë në historinë e këtij sporti, Novak Djokovic. Kosova, ndërkohë, s’e ka asnjë tenist profesionist, djalë apo vajzë.

Kosova, e cila nga viti 2015 njihet edhe nga Federata Botërore e Tenisit, është shtet i pa përfaqësuar në ATP Tour dhe WTA Tour. ATP - Shoqata e Tenistëve Profesionalistë dhe WTA - Shoqata e Tenisteve Profesioniste, i organizojnë garat elitare në tenis, si katër grand slamet e famshme, Australian Open, French Open, Wimbledon dhe US Open dhe turne të tjerë si masters etj.

Asnjë tenist kosovar, djalë apo vajzë, nuk ka arritur të futet në renditjen e ATP-së apo WTA-së deri më sot. ATP i ka mbi 1800 tenistë profesionistë, ndërsa WTA i ka mbi 1100 teniste profesioniste.

Pra, pse tenisi në Kosovë është kaq i pazhvilluar?

Nuk është që tenisi në Kosovë është sport i ri, pasi luhet që prej viteve të 80-ta dhe Kosova ka federatë të veten të tenisit që prej vitit 1993 dhe i ka 16 klube aktive të tenisit në nëntë qytete të ndryshme. Por ajo çfarë ka munguar shumë gjithë këto vite nuk janë talentet, sa janë kushtet themelore për një tenist për t’u zhvilluar.

Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë nuk ka pasur investime shtetërore në ndërtim e fushave të tenisit në Kosovë, përveç në Pejë palestra e sporteve, e cila ka fusha tenisi që nga viti 1989. Por as pas luftës së viteve 90-ta dhe as pas pavarësimit të vendit më 2008 nuk ka pasur investime të duhura në tenis nga shteti i Kosovës.

Kosova e ka një rekord të tmerrshëm në Davis Cup – garën kryesore ndërkombëtare për shtete – pasi e ka arritur vetëm një fitore dhe i ka pësuar 18 humbje që prej vitit 2016 kur mori pjesë për herë të parë.

Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadërgjonaj, i vë fajin plotësisht infrastrukturës së mjerueshme dhe mungesës së vullnetit nga shteti për të investuar në tenis, për dështimin e Kosovës për të zhvilluar lojtarë profesionistë në tenisit.

Pas luftës e sidomos pas pavarësisë vazhdimisht kemi kërkuar dhe vazhdojmë të luftojmë për të pasur infrastrukturë moderne në secilin qytet të Kosovës. Fatkeqësisht nuk kemi arritur deri më tani sukses të lartë në këtë drejtim. Vetëm në qytetin e Pejës kemi arritur të kemi infrastrukturë moderne për organizimin e turneve ndërkombëtar dhe tani më për 3 vite me radhë ne organizojmë turne të tenisit për kategori të juniorëve ku marrin pjesë mbi 150 tenistë nga e gjithë bota”, thotë Hadërgjonaj për Gazetën Nacionale.

Ai këmbëngul se mungesa e infrastrukturës ka ndikuar në zhvillimin e trajnerëve dhe tenistëve: “Infrastruktura është problemi kryesor. Sepse pa infrastrukturë nuk mund të ketë punë profesionale në vazhdimësi 12 mujore. Pikë tjetër është edukimi i trajnerëve ku nuk qëndrojmë keq sepse kemi shumë trajnerë të licencuar ndërkombëtarisht. Por, natyrisht se duhet edukimi i vazhdueshëm i tyre.”

Ai i ka akuzuar Komunën e Prishtinës nën udhëheqjen e ish-kryetarit Shpend Ahmeti, si dhe komunat e tjera, Prizrenin dhe Gjakovën, për neglizhencën në ndërtimin e komplekseve të tenisit, megjithëse projektet kanë qenë të gatshme për shumë vite.

Klubi i tenisit Prishtina ishte detyruar t’i ndërpriste aktivitet për disa vite pas vendimit të Shpend Ahmetit për t’ia marrë nga përdorimi dy fushat e tenisit në lagjen “Bregu i Diellit”, duke e lënë atë pa zgjidhje për vazhdimin e aktiviteteve. Por ky klub synon të rikthehet nga maji i këtij viti në fushat e tenisit në lagjen “Tauk Bahçe”, rrugës për Gërmi. Ato fusha janë duke u përdorur tani nga nxënësit e Shkollës Fillorë “Ismail Qemaili”, jo për të luajtur tenis, por futboll.

Federata e tenisit e ka një buxhet tejet modest prej rreth 200 mijë eurove për vitin 2022.

Në fakt kemi edhe 2 projekte që janë me vite të parealizuara për arsye të neglizhencës sonë institucionale. Është Qendra Nacionale në Prishtinë që do të duhet të ndërtohej në Taukbahqe, ku Komuna e Prishtinës që prej 5 vitesh e ka ndarë parcelën për ndërtimin e kësaj qendre. Por ja që ende nuk kanë nisur punimet dhe besojmë të fillojnë këtë vit. Po ashtu në Gjakovë prej vitesh nuk përfundon ndërtimi i filluar i Kompleksit të fushave të tenisit për arsye të neglizhencës. Në Prizren është edhe më keq. Ende nuk është ndarë parcela nga Komuna e Prizrenit përkundër që Klubi i Tenisit Prizreni është klubi më i suksesshëm në histori të Tenisit në Kosovë. Edhe në këtë pikë jemi duke punuar që këtë vit të merret toka dhe të filloj ndërtimi vitin tjetër i Kompleksit modern të tenisit në Prizren.”

Për dallim nga vendet fqinje si Serbia dhe të tjera, të cilat kanë infrastrukturë moderne, Kosova nuk ofron kurrfarë kushtesh për fëmijët e vet të cilët mbajnë shpresa për t’ia dalë një ditë si tenistë profesionistë.

Kosova nuk ka asnjë fushë të mbuluar të tenisit në kryeqytet Prishtinë dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve të tjera. Kjo nënkupton se tenisi në vend zhvillohet kryesisht vetëm gjatë një periudhe gjashtë mujore. Kjo ka ndikuar në përkushtimin e të tenistëve të rinj dhe ka çuar në braktisjen e lojës nga shumë prej tyre.

E sa për terrene të mbuluara për punë gjatë kohës me shi dhe gjatë dimrit jemi për keqardhje. Nuk kemi asnjë teren të mbuluar për punë 12 mujore që na pamundëson që të jemi konkurrent me shtetet tjera në rajon dhe që na bënë të humbim shumë fëmijë dhe trajnerë që e lënë tenisin për shkak të kushteve të dobëta dhe shkojnë e merren me ndonjë sport tjetër. Ndërsa trajnerët e tenisit largohen nga ky sport sepse nuk mund të punojnë në një sport sezonal vetëm për 7-8 muaj në vit

Shpresat e Kosovës për të pasur tenistë në ATP apo WTA

Hadërgjonaj e pranon se pa një infrastrukturë moderne, e cila ua mundëson tenistëve të rinj të jenë aktiv 12 muaj në vit, shpresat që vendi të prodhojë lojtarë profesionistë janë të vogla.

“Me këtë infrastrukturë që kemi ku në asnjë qytet nuk mund të luash tenis për 12 muaj është vështirë të kesh tenistë të rangut ATP dhe WTA. Por, ne kemi filluar të lëmë gjurmë në arenë ndërkombëtare.”

Megjithatë, Kosova ka disa tenistë të rinj dhe të talentuar në të cilët varen shpresat e saj.

Vesa Gjinaj, 17 vjeçe, e cila ushtron në akademinë e tenistit legjendar amerikan John McEnroe në Nju Jork, ka marrë pjesë në turne të ITF-së, Federatës Ndërkombëtare të Tenisit, dhe ka potencial për të depërtuar në WTA.

Në tenisin e burrave, Dasar Ymeri dhe Melos Nallbani janë pjesë e akademisë së ish-tenistit kroat Ivan Ljubicic, i cili ka disa vite që është trajneri i legjendës zvicerane dhe mbase tenistit më të mirë në histori, Roger Federer.

“Ne kemi tre tenistë të rinj që e kanë lëshuar Kosovën dhe që ushtrojnë nëpër Akademi prestigjioze të tenisit. Kemi tenisten e re 17-vjeçare, Vesa Gjinaj që prej 1 viti tani më gjendet në New York tek Akademia e ish-tenistit të njohur John McEnroe. Besoj që Vesa këtë vit do të na sjell pikët e para historike WTA dhe se do të luaj edhe në Grand Slam siç është Roland Garros, Wimbledon dhe US Open.”

I kemi 2 djem Dasar Ymerin dhe Melos Nallbanin në Akademin në Mali Loshinj në Kroaci që udhëhiqet nga ish tenisti kroat Ivan Ljubicic që është edhe trajner i Roger Federer.”

Kosova dhe Shqipëria janë dy vendet e vetme nga Ballkani që nuk përfaqësohen në ATP dhe WTA, pasi Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë tenistë në ranglistën e këtyre dy shoqatave.

Hadërgjonaj thotë se dallimi mes Kosovës dhe vendeve të rajonit për tenistët e rinj nën moshën 14-vjeçare nuk është aspak i madh, por dallimi gjithmonë qëndron në infrastrukturë.

“Tenistët tanë të rinj deri në moshën 14 vjeç nuk kanë shumë dallime dhe dalin edhe fitues ndaj moshatarëve të tyre në rajon. Por mungesa e infrastrukturës dhe pamundësia e punës 12 mujore bënë që ne të e humbim hapin me të tjerët e që është pa fajin tonë por fatkeqësisht më fajin e neglizhencës institucionale në mosrealizimin e projekteve të terreneve të tenisit që zvarriten ndër vite.”

Lajme të ngjashme