Përmbledhja e Premierligës: Chelsea në ditën e saj më të turbullt arrin fitore - 45 minuta lojë për Rashicën - NACIONALE

Përmbledhja e Premierligës: Chelsea në ditën e saj më të turbullt arrin fitore - 45 minuta lojë për Rashicën

4 vjet më parë

nga NACIONALE


Norwich 1-3 Chelsea (69' Pukki; 3' Chalobah, 14' Mount, 90' Havertz)

Ekipi londinez ndonëse i gjendur në një ditë shumë të rëndë, me sanksionet që përfshin drejtpërdrejt atë duke qenë pronë e oligarkit rus, Roman Abramovich, arriti të arkëtojë një fitore të vlefshme. Në një ditë të pazakont, lojtarët e Chelsea bënë detyrën, duke triumfuar në Carrow Road, me rezultat 1 me 3.

Pas 5 muajsh, Milot Rashica u ul për herë të parë në stol në kuadër të ndeshjeve të Premierligë. Sulmuesi kosovar u aktivizua në fushë menjëherë pasi filloi pjesa e dytë. Pikërisht rastis ndaj rivalit të njëjtë inkuadrimi i tij në lojë nga stoli (Chelsea 7-0 Norwich, 23 tetor, 2021). Gjithsesi, i zhytur gjithnjë e më thellë në pozitën e fundit tabelare, Norwich po rrezikon që t'i numërojë xhirot e fundit të saj në Premierligë, pasi humbja nga Brentford javën e kaluar dhe kjo e sontmja ndaj Chelsea, veçse i dhanë një goditje të rëndë sezonit të tyre.

Miloti u mundua t'i japë shkëndijë lojës me anë të dy depërtimeve sapo hyri në fushë, ku një herë pasoi për Pukki në zonë, kurse herën tjetër provoi vetë goditjen nga jashtëzona e rreptësisë, por pa sukses, me topin që përfundoi mbi portë. Përgjithësisht ishte i vetmi nga Norwich që ia doli të krijojë superioritet numerik, përmes driblimeve të shpeshta, falë shpejtësisë së tij të lakmueshme me top, që bëri Chalobahn dhe Loftus-Cheekin të ishin shumë në vështirësi kur kishin për ta markuar. Njëherit Miloti për mrekulli u lirua edhe në minutën e 83-të nga kundërshtarët në gjysmëfushën e tij, duke pasuar në thellësi për Sargent, por ky i fundit ishte jo-produktiv në shfrytëzimin e atij aksioni kundërsulmues.

Chelsea mbizotroi në lojë gjatë pjesës së parë, kurse në të dytën u tërhoq dhe pa sulmuar me ngulm. Me pasime kryesisht sterile u karakterizua pjesëloja e dytë për ekipin londinez, duke bërë që Norwich të rrisë vetëbesimin e bashkë me të edhe aksionet sulmuese, ku njëra prej tyre rezultoi me gol, pas akordimit të penaltisë, me ç'rast Chalobah VAR-i verifikoi se kishte prekje të topit me dorë, pasi kjo e fundit ishte e zgjatur. Nga pika e bardhë shënoi pa vështirësi Pukki.

Sidoqoftë, në minutën e 90-të, pas një asisti kyç nga Kante, Havertz dërgoi topin në rrjetë, për ta vulosur fitoren me rezultat 1 me 3.

Southampton 1-2 Newcastle (25' Armstrong; 32' Wood, 52' Guimaraes)

Armando Broja nuk ishte sonte në elementin e tij më të mirë. Më shumë sesa për demeritë të tij, ishte loja mirë e organizuar e Newcastle të Eddie Howe që ia vështirësoi punën si sulmuesit shqiptar, ashtu edhe vendasve në përgjithësi. Southampton gjeti golin gjatë pjesës së parë me Armstrong, që më së miri lexoi lëvizjen e topit në një trafik lojtarësh që ishin në zonën e 11 metërshit, ku në fund u shkëput me kokë dhe kaloi "shenjtorët" në epërsi. Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe Newcastle barazoi gjithçka në pjesën e parë me Wood, i cili njashtu shënoi me një shkëputje me kokë, me ekzekutim milimetrik. Për ta konfirmuar serinë mbresëlënëse në Premierligë të Eddie Howe, i cili humbjen e fundit e ka ndaj Manchester City para tri muajsh - braziliani Guimaraes, i afruar nga skuadra e Lyon, me anë të një gjesti teknik instiktiv dhe teknik, kaloi skuadrën e Newcastle në epërsi.
Newcastle, kësisoj, është afër ta vendosë në kasafortë mbijetesën.

Wolves 4-0 Watford (13' Jimenez, 18' Cucho autogol, 21' Podence, 85' Neves)

Wolves zhbllokohet dhe ia del të rikthehet tek fitoret. As largimi i Ranieri dhe afrimi i Hodgson, nuk e kanë ndihmuar Watford të ndryshojë trajektoren e një sezoni të brishtë për ta. Ekipi i drejtuar nga Lage arrijti të shënojë një fitore të vlefshme, e cila i rikthen ata ende me shpresë në garën për një vend në Ligën e Evropës, duke iu afruar në dy pikë "çekanëve" të West Ham që renditen në pozitën e gjashtë tabelare. Watford, njësoj sikurse Norwich, duket që kanë marrë rrugë pa kthim, me hijen e Championship që po u sillet vërdallë.

Leeds 0-3 Aston Villa (22' Coutinho, 65' Cash, 73' Chambers)

Aston Villa e Steven Gerrard ka arritur të sigurojë një fitore të çmuar në udhëtim, duke dominuar në çdo cep të fushës ndaj Leeds. Coutinho ishte ai që nga një penalti në lëvizje ia doli ta dërgojë skuadrën e tij në epërsi. Që pas atij momenti, më ndeshja nuk pati shumë histori, me ekipin nga Birmingham që administratoi rezultatin pa e vurë vetën në telashe për asnjë çast. Në anën tjetër Leeds assesi të këndellen as pas shkarkimit të Bielsa, pasi në 5 ditë e fundit, pësuan dy humbje, përfshirë këtë të sontmen, duke ia komprometuar jo pak vetës fazën e fundit të kampionatit, me një ecuri rezultatesh dëshpëruese, ku nuk dijnë për fitore që prej 16 janarit, 2022, kur mposhtën "çekanët" në Londër, me rezultat 2 me 3. Leeds i afrohet zonës së mbijetesës edhe më shumë, kurse Aston Villa pasi në ato ujëra ishte gjatë vjeshtës, tani afrimi i pranverës e gjen në një pozitë tabelare të rehatshme, konkretisht në mesin e tabelës.

Lajme të ngjashme