Përfundon rrugëtimi evropian për Ballkanin, pëson humbje nga Dinamo Zagreb dhe eliminohet nga faza grupore
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka pësuar humbje 3:0 nga Dinamo Zagreb, kështu për t'u eliminuar nga faza grupore e Ligës së Konferencës, pasi përfundoi në vendin e katërt në grup, pas Astanës dhe dy skuadrave të kualifikuara Dinamo e Viktoria Plzen.
'Xhebrailat' kishin nevojë patjetër për fitore për të shpresuar në një kualifikim historik dhe gjithçka po shkonte në drejtimin e duhur, pasi Viktoria Plzen në anën tjetër po e mposhti Astanën 3:0, por një pakujdesi e vogël në mbrojtje në pjesën e dytë kur ndeshja po dominohej nga skuadra jonë dhe skuadra ra, për të pësuar më pas edhe dy gola të tjerë.
Pjesa e parë e takimit përfundoi pa gola në Maksimir të Zagrebit, ku vendasit ishin në një nuancë më të mirë, por asnjëra prej skuadrave nuk arriti të tregonte diçka më shumë, ndonjë goditje të rrezikshme në drejtim të portierëve.
45 minutat e dyta filluan shumë mirë për Ballkanin, me skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja që po krijonte disa raste të mira, deri në momentin e pësimit të golit.
Zhvillohej minuta e 69-të kur një harkim nga Micic e gjeti kokën e Peric, që shënoi për 1:0, ku skuadra kampione e Kosovës ra nga loja.
🇪🇺 Goal: Dino Perić | Dinamo Zagreb 1-0 KF Ballkani pic.twitter.com/efvdk1Pnpx
— FootColic ⚽️ (@FootColic) December 14, 2023
Vetëm tre minuta më vonë Petkovic shënoi për ta çuar Dinamon në epërsi prej dy golave.
🇪🇺 Goal: Bruno Petković | Dinamo Zagreb 2-0 KF Ballkani pic.twitter.com/30leSaQiY0
— FootColic ⚽️ (@FootColic) December 14, 2023
Sulmuesi i rrezikshëm shënoi edhe një herë. Kësaj radhe nga penalltia në minutën e 77-të, të cilën e shkaktoi Lumbardh Dellova me një ndërhyrje të pakujdesshme.
🇪🇺 Goal: Bruno Petković | Dinamo Zagreb 3-0 KF Ballkani pic.twitter.com/cmpP6BIC1D
— FootColic ⚽️ (@FootColic) December 14, 2023
Me rezultatin 3:0 përfundoi ndeshja dhe Dinamo Zagreb u kualifikua në fazën tjetër nga vendi i dytë, ndërsa Ballkani me katër pikë në vendin e fundit, aq sa ka edhe Astana e vendit të tretë, që për shkak të ndeshjeve të ndërsjella renditet më mirë, por që këto dy pozita të fundit janë fare të parëndësishme.
Ballkani merr pjesë për herë të dytë në fazën grupore dhe historia përsëritet, ashtu siç përfundoi herën e parë, përfundoi edhe tash.
Kampioni i Kosovës tani të gjithë koncentrimin do ta ketë në Superligë, ku janë liderët e elitës, larg nga vendi i dytë dhe po rrugëtojnë sigurt drejt titullit të tretë radhazi.