Pep Guardiola i godet ashpër lojtarët dhe tifozët e Manchester City
Pep Guardiola i ka goditur lojtarët dhe tifozët e ekipit të vet Manchester City, duke i akuzuar për vetëkënaqësi, pas fitores së jashtëzakonshme me rikthim nga 0:2 në 4:2 kundër Tottenhamit në Etihad Stadium të enjten.
U duk sikur City ishte buzë disfatës së tretë radhazi, pasi Dejan Kulusevski dhe Emerson Royal shënuan për t’i dhënë Tottenhamit një epërsi prej dy golave në pjesën e parë.
Si pasojë, tifozët vendas e fishkëllyen ekipin e vet pas përfundimit të pjesës së parë.
Por City bëri një rikthim mahnitës në pjesën e dytë, me Riyad Mahrez që shënoi dy gola, dhe Julian Alvarez dhe Erling Haaland që shënuan nga një.
Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për kampionin në fuqi në garën për titull me liderin Arsenal, i cili ka pesë pikë më shumë dhe një lojë më pak të zhvilluar.
Por Guardiola nuk ishte i lumtur prapëseprapë pas përfundimit të ndeshjes.
“Ne i pësojmë katër faulla dhe prapë nuk reagojmë. Nuk treguam aspak guxim, ishim me fat por nëse nuk ndryshojmë, do të lëshojmë pikë herët apo vonë”, tha Guardiola.
“Pasioni, zjarri, dëshira për të fituar nga minuta e parë mungonte. Njëjtë edhe me tifozët tanë, ata heshtën për 45 minuta”, i kritikoi trajneri spanjoll lojtarët dhe tifozët e vet.
Ai shtoi: “Ata na fishkëllyen sepse po humbnim, por mbase është e njëjtë për ekipit tonë, ndoshta ne jemi shumë rehat pasi i kemi fituar katër tituj në Premierligë në pesë vitet e fundit. Dhe pasi e shënojmë një gol ata reagojmë, por nuk është poenta këtu”.
Pasi Southamptoni e eliminoi nga Carabao Cup më 11 janar, City u mposht 2:1 nga rivali lokal Manchester United në Premierligë të shtunën, duke rrezikuar seriozisht të mbetet jashtë garës për titull.
I pyetur nëse skuadrës së tij i ka humbur dëshira, spanjolli u përgjigj: “Patjetër, ndryshe ne nuk do t’i pranonim golat që po i pranojmë në çdo ndeshje.”
