Manchester City përmbys në formë spektakolare Tottenhamin, vazhdon garën për titull me Arsenalin
Manchester City ka shënuar një fitore të madhe, duke mposhtur me përmbysje 4:2 Tottenhamin. Tre gola të shënuar brenda dymbëdhjetë minutave i kanë mjaftuar Manchester Cityt që t’u rikthehen tre pikëve të radhës.
Një fitore drithëruese e stilit të kampionëve ishte ajo që korri sot në “Etihad Stadium” Manchester City. Edhe pse në një moment u mendua se po shkonin drejt fundosjes së radhës, kështu nuk ndodhi. Të besuarit e Guardiolas gjetën dhe mblodhën forcat që të riktheheshin furishëm në pjesën e dytë.
Gjërat nisën të vështirësoheshin për Manchester Cityn në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 44-të ishte Ederson ai që gaboi në formë naive që të pasonte te bashkëlojtari i tij. Tottenham përfitoi nga kjo gafë dhe nga afërsia Kulusevski u tregua i saktë, duke shënuar për 0:1 (VIDEO).
Vetëm tre minuta më vonë mysafirët dyfishuan rezultatin. Sërish ishte një reagim me reflekse jo të duhura nga Emerson ai që prodhoi golin e dytë. Emerson i gjendur afër portës nuk gaboi, duke shënuar për 0:2.
Manchester City u rikthye me një vrull të madh në pjesë të dytë. Në minutën e 51-të përfaqësuesi argjentinas, Alvarez, ishte ai që shënoi për 2:1, duke ngushtuar kështu disavantazhin (VIDEO).
Vetëm dy minuta më vonë shënoi i përhershmi Haaland. Sulmuesi 22-vjeçar me kokë nuk gaboi duke dërguar topin në rrjetë për 2:2 (VIDEO).
Ndërkaq pas dhjetë minutave pas një aksioni vetanak të mirëfilltë sulmuesi algjerian, Mahrez, bëri gjithçka mirë dhe goditi saktë për 3:2.
Ishte sërish ylli algjerian që u bë protagonist i një tjetri goli që shënoi. Në minutën e 92-të ai mposhti Llorisin pa ndonjë vështirësi të madhe.
Deri në fund të ndeshjes Manchester City menaxhoi për mrekulli këtë epërsi, duke i siguruar tre pikët e radhës. Kjo fitore ekipit të drejtuar nga Guardiola ia mundëson të ngjitët në kuotën e 42 pikëve, duke qenë 5 pikë mbrapa Arsenalit, që ka një ndeshje më shumë për ta zhvilluar.
Përmbledhja e ndeshjes Manchester City - Tottenham:
