Pensionohet Shkodran Mustafi, bëhet asistent te Gjermania U17
Mbrojtësi Shkodran Mustafi ka njoftuar pensionimin, duke u bërë asistent te Gjermania U17, kështu ka bërë të ditur Federata Gjermane.
Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë deklaroi se është i mërzitur që i jep fund karrierës në këtë moshë të re, por emocionuar në të njëjtën kohë që do të mësojë për të qenë trajner.
“Kam menduar që të marrë eksperiencë si trajner për një kohë. Në njërën anë është turp sepse është shumë shpejtë, do të doja të luaja më shumë futboll. Në anën tjetër, jam i lumtur për kohën që kam përpara meje dhe të marrë hapat e parë si trajner te Federata Gjermane. Dua ta ndaj tërë eksperiencën time që e kam fituar me grupmoshat U15, U21 si dhe ekipin e parë”, deklaroi ai.
Mes majit 2014 dhe tetorit 2017, Mustafi ka zhvilluar 20 paraqitje për kombëtaren e Gjermanisë, duke kontribuar edhe me dy gola në proces.
Kujtojmë, ai refuzoi Shqipërinë që të përfaqësojë Gjermaninë – me këtë të fundit pastaj e fitoi Kupën e Botës. Ndërkohë, sa i përket karrierës si futbollist ka luajtur për Arsenalin, mirëpo mbahet më së shumti mend për kohën e kaluar te Valencia.