Pedri: Nuk do të kisha mundur ta refuzoja Real Madridin, por jam i lumtur të jem në ekipin e ëndrrave - NACIONALE

Pedri: Nuk do të kisha mundur ta refuzoja Real Madridin, por jam i lumtur të jem në ekipin e ëndrrave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pedro Gonzalez Lopez, i njohur ndryshe si Pedri, ka dhënë një intervistë të sinqertë së fundi për mediumin “ICON”, ku ka shpalosur shumë detaje edhe rreth të kaluarës, duke përmendur këtu Real Madridin.

Mesfushori spanjoll 20-vjeçar, Pedri, identifikohet si prej më të talentuarve në qarkullim, në mos më i talentuari. Barcelona ka fatin ta ketë në radhët e veta, duke e konsideruar atë si një beniamin të së ardhmes.

Megjithatë, mesfushori spanjoll është treguar i sinqertë në një intervistë dhënë për “ICON” rreth pyetjes se a do ta kishte refuzuar një ofertë të Real Madridit nëse do t’i kishte ardhur më herët.

“Nëse do të kisha luajtur për Real Madridin? Besoj që po. Ambicia ime ka qenë që ta bëja një rrugëtim si një lojtar profesionist. Kësisoj, do të kishte qenë shumë e vështirë që ta refuzoja një ofertë nga njëri prej klubeve më të mëdha të këtij sporti”, nënvizoi ai.

Pedri nuk ka aspak ndonjë peng për zgjedhje që ka bërë. Përkundrazi, ai ndihet me fat që është pjesë e klubit katalonas, tifoz i të cilit ka qenë prej fëmijërisë.

“Ai tren ka kaluar (mundësia e kalimit në Real Madrid) dhe pas dy vitesh kam nënshkruar me skuadrën e ëndrrave (Barcelonën). Me skuadrën të cilën e mbështetë familja ime dhe në atë ku ka luajtur idoli im i parë, Andres Iniesta”, shpjegoi ai.

Shpërthimi i Pedrit

Pedri asnjëherë nuk e ka fshehur të qenët tifoz i Barcelonës qëkur ishte fëmijë. Ai me plot zë e tha deklarativisht edhe në intervistën e fundit për “ICON”.

“E kam thënë gjithmonë. Jam një tifoz i Barcelonës qëkur isha fëmijë. Kur isha i vogël thuajse të gjithë përkrahnin Real Madridin, ndërsa ne ishim ndër ata pak veta që bënim përjashtim”, sqaroi ai.

Mesfushori kreativ është shndërruar në lojtar kyç për Barcelonën sa i përket mesfushës, duke lënë nën hije edhe një lojtar dikur fort premtues siç kishte qenë De Jong në kohën e Ajaxit.

I gjithë reparti i mesfushës lëviz rreth tij, falë zhdërvjelltësisë dhe paparashikueshmërisë në mënyrën se si e interpreton futbollin ai.

Shumë analistë të futbollin gjejnë tipare karakteriale dhe teknike të ngjashme me Iniesta, që ashtu siç tha edhe vetë Pedri, ka qenë përherë idol i tij.

Barcelona në vitin 2020 e mori Pedrin nga Las Palmas për një shifër modeste krahasuar me çmimin e tij aktual: afro 18 milionë euro. Koeman i bindi drejtuesit e klubit që të mos e huazonin, por ta mbanin në skuadër.

Shkëlqimi nuk vonoi, por erdhi rrufeshëm. Tani ai numëron 56 paraqitje me skuadrën “blaugrana”, kur ka shënuar edhe 8 gola.

Ndërkaq sa i përket sezonit aktual në La Liga në 12 paraqitje sa ka bërë ka shënuar 2 gola.

Lajme të ngjashme