Patrice Evra: Kam shitur drogë, kam qenë lypsar dhe jam abuzuar seksualisht në fëmijëri
Ish-ylli i Manchester Unitedit, Patrice Evra, ka folur haptazi për fëmijërinë e dhimbshme që kishte përjetuar duke shitur drogë, duke lypur nëpër rrugët e Parisit dhe ka zbuluar se ishte abuzuar seksualisht në moshën 13-vjeçare.
Ish-përfaqësuesi i Francës u lind në Dakar, kryeqytetin e Senegalit, dhe u zhvendos në Belgjikë e pastaj në Francë në fëmijërinë e tij.
Kjo s’është hera e parë që Evra, i cili i ka 23 motra e vëllezër, ka folur për jetën e vështirë në fillimet e tij, pasi në të kaluarën ka treguar se si ishte detyruar të lypte për kafshatën e gojës.
Gjërat ishin vështirësuar për 40-vjeçarin kur babai i tij e kishte braktisur familjen kur ai ishte adoleshent. Evra nuk nënshkroi marrëveshje profesionale në futboll deri në moshën 17-vjeçare me skuadrën italiane Marsala.
Evra dha hollësi më të mëdha për jetën e vështirë në fëmijëri të mërkurën në një intervistë për BBC One.
“Më pëlqenin tri gjëra para se të luaja futboll. Të shisja drogë. Të lypja para një dyqani dhe të punoja në një dyqan televizorësh”, tha Evra.
“Njëra nga këto nuk është e vërtetë”, nënvizoi ai.
Pastaj e pranoi: “Nuk shisja televizor. Dy të tjerat janë të vërteta. Isha 13 vjeç në atë kohë.”
Evra këmbënguli se lypja ishte bërë gjë e zakonshme për të, duke shtuar: “Nganjëherë, madje në mesnatë, kur ata i hidhnin McDonalds e mëdhenj të ftohur, ne futeshim në shportat e mbeturinave.”
“Kur babai im u largua u bë kaos.”
I pyetur si e la pas një jetë të tillë të vështirë, Evra tha: “Futbolli më shpëtoi”.
“Kur isha 17 vjeç udhëtova drejt Italisë. E mbaj në mend kur mbërritëm dhe ishim të gjithë ulur tërë kohën dhe ata na shërbenin me ushqim. U futa në dhomë dhe thirra nënën time dhe i thashë, ‘nënë, këtu është si në parajsë, njerëzit po na shërbejnë ushqim, dy pirunë në një anë, dy thika në anën tjetër”, tregoi ai.
“Ky është kujtimi im më i mirë.”
Evra po ashtu tregoi se ishte abuzuar seksualisht në moshën e re, gjë që kishte pasur ndikim të rëndë në jetën e tij.
“Abuzimi seksualisht në moshën 13-vjeçare kishte një ndikim masiv në jetën time. Të vjen turp nga vetja. Kur nuk i beson autoritetit, sepse ishte mësuesi im, nuk i beson askujt tjetër.”
Evra i zhvilloi 400 ndeshje si futbollist i Unitedit, duke i fituar pesë tituj në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve më 2008.
Ai e përfaqësoi Francën në 81 ndeshje ndërkombëtare.