Pasi nuk u ftua nga Shqipëria për EURO 2024, Cikalleshi njofton pensionimin - NACIONALE

Pasi nuk u ftua nga Shqipëria për EURO 2024, Cikalleshi njofton pensionimin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi shtatëlartë, Sokol Cikalleshi, ka bërë reagimin e parë që nga mosftesa në kombëtare për EURO 2024, duke njoftuar pensionimin e tij.

Cikalleshi që luajti rol kyç në kualifikimin e kuqezinjve, nuk mori një ftesë në listën preliminare, teksa sot postoi në Instagram, duke njoftuar për pensionimin e tij.

Postimi i plotë i Sokol Cikalleshit

Fundi i një rrugëtimi!

Rrugëtimet janë të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.

Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt dhe besoj, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua.

Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit I erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pa kursimin më të vogël pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme. Falënderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët Kuq e Zi që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze.

Sylvinho ftoi gjashtë sulmues në listën prej 27 lojtarëve, duke përfshirë Mirlind Dakun, Arbër Hoxhën e Armando Brojën, por munguan emra si Arbnor Muja e Myrto Uzuni.

Lajme të ngjashme