Pasardhës i Florent Hadërgjonajt apo Amir Rrahmanit në kombëtaren A? Kapiteni i Kosovës U21 në pritje të definimit të pozitës - NACIONALE

Pasardhës i Florent Hadërgjonajt apo Amir Rrahmanit në kombëtaren A? Kapiteni i Kosovës U21 në pritje të definimit të pozitës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kapiteni i Kosovës U21, Edvin Kurtulus, po luan ciklin e dytë kualifikues me dardanët e rinj. Ai tani po mban shiritin e kapitenit të shpresave. Megjithatë, ende mbetet e paqartë se çfarë pozite do ta mbulojë, si në ekipin e tij ku luan, ashtu edhe në kombëtare.

Mbrojtësi me prejardhje nga Prizreni, Edvin Kurtulus, në vitin e kaluar ka pranuar të grumbullohet me Kosovën, duke i refuzuar paraprakisht përpjekjet e kombëtares së shpresave të Suedisë për ta rekrutuar atë. Kësisoj, mori gjithnjë e më shumë lidership te Kosova. Filloi të zhvillohet edhe në skuadrën e tij ku aktivizohej, në Halmstad, para se Hammarby t'i siguronte shërbimet e tij, për t'iu bashkuar kështu Astrit Selmanit dhe Loret Sadikut në të njëjtin ekip.

Sidoqoftë, këtu janë shpërfaqur disa të panjohura, që kanë të bëjnë me atë se çfarë pozite do ta mbulojë në fushë, si me Kosovën U21, ashtu edhe me vetë ekipin e tij. Në ciklin e kaluar kulifikues me shpresat e Kosovës, kur përzgjedhës ishte Rafet Prekazi, ai luajti si mbrojtës i djathtë. Me ardhjen e ish-përzgjedhësit tjetër, Michael Nees, ai u zhvendos në qendërmbrojtje, duke marrë edhe shiritin e kapitenit, përkundër faktit që në Halmstad luante si mbrojtës i krahut të djathtë.

Megjithatë, ky vit e gjen atë në një mëdyshje se çfarë do t'i sjellë e ardhmja dhe çfarë roli do ta ketë në fushë. Trajneri i Hammarby, Martí Cifuentes, e sheh si lojtar polivalent. Në një prononcim gjatë ditëve të kaluara lidhur me mëdyshjen se ku do të përdoret kapiteni i shpresave të Kosovës, ai përgjigjej: "Mund ta përdorim kudo. Ai është lojtar me cilësi të larta. Jam shumë i lumtur që është pjesë e jona. Ka pësuar lëndime të lehta gjatë fazës parapërgatitore, por e vlerësoj si një lojtar shumë të fortë. Do ta testoj më shumë si mbrojtës të djathtë, por mund edhe në pozitën e 6-shit (mesfushor i tërhequr)".

Edvin Kurtulus për mediat suedeze nuk ka hezituar kurrë të deklarojë preferencën e tij: "Unë luaj kudo që e sheh të nevojshme trajneri, por pozita ime e preferuar është si qendërmbrojtës".

Në pesë ndeshjet e fundit në kuadër të një miqësore në fillim dhe në ndeshjet tjera të rrethit kualifikues të kupës suedeze, është aktivizuar në tri pozita të ndryshme. Në kupë kryesisht është aktivizuar në dy krahët e mbrojtjes, veçanërisht në të djathtin. Në të gjitha rastet është përfshirë nga pjesa e dytë në fushë, si zëvendësues. Në të tri raste në pozitën e djathtë u vendos, një herë në pozitën e majtë (pasi mungonte Mohamed Jeanazi) dhe mesfushor shkatërrues në një rast tjetër.

Njëra prej arsyeve që bën që Kurtulus të mos luajë me dëshirë në krahun e mbrojtjes, gjegjësisht në atë të djathtin, ka të bëjë edhe me mos të qenurit shpejtësia arma e tij më e fortë. Ai te Kosova U21 duke luajtur si qendërmbrojtës është përkujdesur të jetë gjithnjë e më i angazhuar edhe në rolin e organizatorit të lojës nga vija e parë e mbrojtjes.

Jo rastësisht aksionet e shpresave dardane kanë nisur nga këmbet e tij, në mungesë të një mesfushori me vizion që merr përsipër diktimin e tempos së lojës.

Tani, Edvin Kurtulus do të luajë me përzgjedhësin e tretë brenda dy vjetësh. Albert Bunjaki si njohës i futbollit suedez, ndoshta do t'i dalë edhe më në ndihmë, veçse te pozita se ku do të luajë mbetet enigmatike, ani se indiciet e para çojnë të moslëkundja e asaj çfarë ishim mësuar ta shohim me fanellën dardane së fundmi.

Pra, si qendërmbrojtës. Kjo edhe me kushtin nëse "hemoragjia" në dy krahët e mbrojtjes të vazhdojë, me mungesë emrash cilësorë dhe alternativash në përgjithësi, ku në krahun e djathtë është vetëm një lojtar pa përvojë në këto nivele garash: Florian Haxha, pjesë e Hertha Berlin II.

Kujtojmë që më 2 prill nis zyrtarisht sezoni i ri i kampionatit suedez. Fillimisht, Edvin Kurtulus nuk projektohet të jetë titullar në Hammarby.

Shumë lehtë mund të ndodhë që në pesë ndeshjet vijuese te Kosova të vazhdojë të luajë si qendërmbrojtës, ndërsa në Hammarby të përdoret si lojtar zëvendësues i Simon Sandberg, mbrojtësit titullar të krahut të djathtë të ekipit suedez. Edhe me kushtin që Kosova U21 të jetë tërësisht e pambuluar me lojtarë natyralë në atë pozitë, atij pritet t'i plotësohet dëshira dhe të vazhdojë të paraqitet përkrah Valon Zumberit dhe Andi Hotit, apo vetëm njërit specifikisht nëse shkohet me vendosjen në 4 në mbrojtje.

Lajme të ngjashme