Pas dy fitoreve radhazi, Curri: Jam i gatshëm të vazhdoj si trajner i Prishtinës - NACIONALE

Pas dy fitoreve radhazi, Curri: Jam i gatshëm të vazhdoj si trajner i Prishtinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Asistenti i FC Prishtinës, Debatik Curri ka pranuar se dëshiron të vazhdojë si trajner i klubit, por që një vendim përfundimtar ende s’është marrë.

Pas shkarkimit të Ismet Munishit, “Bardhëkaltërit” ‘timonin’ ia dhanë asistenti Curri, i cili shënoi dy fitore të mëdha, ndaj Ballkanit në Kupën e Kosovës, e të shtunën mposhti Drenicën.

Pas kësaj fitore të fundit, Curri deklaroi se është tejet i lumtur me këtë fitore ndaj “Kuq e Zinjve”, që është në kohën më të mirë të mundshme, pra para pushimit ndërkombëtar.

Ne kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen, kundër Drenicës historikisht kemi pasur probleme. Ka qenë një ndeshje shumë e mirë. E kemi respektuar maksimalisht. Djemtë dhanë maksimumin, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj pasi kemi pasur ndeshje çdo tre ditë”.

Qysh para ndeshjes me Ballkanin por edhe këtë ndeshje iu thashë futbollistëve që na duhet kjo fitore, për renditjen tabelore dhe do të na stabilizonin para këtij pushimit. Pasi ndryshe është edhe për lojtarët që të shkojnë në shtëpi në këto ditë pushimi me fitore. Tani na mbetet të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në ato 10 ndeshjet e mbetura”.

I pyetur nëse do të vazhdojë në krye të Prishtinës, ish futbollisti pranoi se është i hapur por i mbetet klubit ta jep vendimin përfundimtar.

Është mirë që t’i bëhet klubit kjo pyetje. E falënderoj klubin për besimin, unë do ta jap maksimumin dhe do ta nxjerrë nga këta të djemtë. Unë jam i gatshëm për të vazhduar, tani klubit i mbetet nëse do të më besojë apo jo”.

Përndryshe, Nacionale ditë më parë ka raportuar se Prishtina ndodhet në negociata me Ramiz Krasniqin dhe Ardian Nuhiun, por edhe emri i Currit është duke u diskutuar.

Lajme të ngjashme