Prishtina ia thellon krizën Drenicës, Malisheva e ndal Dritën
Prishtina ka shënuar fitore minimale ndaj Drenicës (0:1), derisa Malisheva ka arritur ta ndalë Dritën (0:0).
Derbi më interesant ishte ndërmjet dy rivalëve të vjetër, me Prishtinën që fitoi me rezultat minimal 0:1.
Bujar Pllana ishte hero i vetëm duke shënuar një gol të bukur pas 33 minutave lojë.
Prishtina më shumë dominoi në posedim me Drenicën që provonte disa kundërzbritje që gjithashtu nuk finalizoheshin.
Vlen të ceket se në këtë sfidë debutoi Igball Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, që hyri në fushë në kohën shtesë.
Ndërkohë, fundi ishte dramatik me Nikën që u ndëshkua me karton të kuq dhe meqenëse s’kishte zëvendësime të tjera, Mërgim Pefqeli u detyrua të luante rolin e portierit për disa çaste.
Me këtë fitore, Prishtina renditët në pozitën e katërt me 35 pikë, derisa Drenica në fund me 23 sosh.
Në anën tjetër, Malisheva ka arritur ta ndalë në një barazim pa gola skuadrën e Dritës.
“Intelektualët” dominuan shumicën e kohës duke krijuar raste të njëpasnjëshme, por assesi t’i finalizonin.
Të dy klubet kishin rastet e tyre mirëpo portierët bënë një punë të shkëlqyeshme për të mos lejuar topin të përfundojë brenda zonës.
Kështu Malisheva merr një pikë të madhe duke u renditur në pozitën e shtatë me 29 pikë, derisa Drita vazhdon të jetë lider me 52 sosh.