Pamje: Tenisti britanik e godet Djokoviqin me top pasi ia kishte kthyer shpinën, serbi ia ngul sytë
Tenisi britanik Cameron Norrie e ka goditur me top në këmbë Novak Djokoviqin gjatë përballjes së tyre në mastersin e Romës, duke ia ngritur nervat tenistit serb që mbeti duke ia ngulur sytë.
Djokoviq, kampion në fuqi, e mundi britanikun 6-3 6-4 për të arritur në çerekfinalen e 17-të radhazi në Roma Open.
Takimi gjaknxehtë mes tyre u përkeqësua në setin e dytë kur Norrie e goditi me tërë fuqinë me top në nyjën e këmbës së majtë Djokoviqin, i cili ia kishte kthyer shpinën atij duke hequr dorë tashmë nga pika.
Djokoviqi pastaj u kthye dhe ia nguli sytë Norriet, i cili i kishte kërkuar falje duke e ngritur dorën.
Djokoviqi, i cili do ta humbë vendin e parë në renditjen botërore në kurriz të spanjollit Carlos Alcaraz javën e ardhshme, do të përballet me danezin Holger Rune në mesin e tetë më të mirëve.
Përgatitjet e tenistit serb për grand slamin French Open ishin penguar nga lëndimet, por ai ka filluar ta gjejë formën e mirë në kohë për ta kërkuar grand slamin e 23-të në karrierë më 28 maj.
Djokoviqi ishte përjashtuar nga grand slami US Open më 2020 kur e kishte goditur me top në fyt gjyqtaren e vijave nga zemërimi që e kishte humbur një pikë.