Pamje: Në Katar tallen me eliminimin e Gjermanisë nga Kupa e Botës
Mysafirët në një program televiziv në Katar janë tallur me rënien e Gjermanisë nga Kupa e Botës kaq herët, si dhe me protestën e lojtarëve gjermanë për të drejtat e njeriut në vendin mysliman.
Lojtarët e Kombëtares gjermane e mbuluan gojën me dorë derisa po pozonin për fotografinë e skuadrës para ndeshjes së parë në fazën grupore kundër Japonisë më 23 nëntor.
Ky veprim ishte një protestë e Gjermanisë ndaj vendimit të FIFA-s se kapitenët e epikeve kombëtare do të ndëshkoheshin nëse do të bartnin shiritat e tyre me ngjyra të flamurit të ylberit në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ në Katar.
Lojtarët gjermanë e mbuluan gojën me duar për të lënë të kuptohet se ishin detyruar të shukateshin në një vend ku marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini janë të jashtëligjshme.
Pasi Gjermania u rrëzua nga gara qysh në fazën grupore të enjten mbrëma, për herë të dytë radhazi në Kupën e Botës, disa njerez në Katar nuk humben kohë për t’u tallur me të.
Një video që ka bërë xhiron e botës në rrjetet sociale shfaq një panel në një televizion duke e mbuluar gojën me dorë dhe duke i tallur gjermanët duke ua bërë lamtumirë me dorë.
محللين برنامج المجلس بعد خروج ألمانيا 😂 pic.twitter.com/M87KeE5Htz
— شؤون قطرنا 🇶🇦 (@Qattar_Affairs) December 2, 2022
Megjithëse e mundi 4:2 Kosta Rikën të enjten, skuadra e Hansi Flickut ra nga Kupa e Botës qysh në fazën grupore për herë të dytë radhazi, pasi Japonia e fitoi grupin duke e mundur 2:1 vendin e dytë, Spanjën.
Për katër herë fituesin e Botërorit, i cili për herë të fundit triumfoi në Brazil 2014, ky është një dështim edhe më i thellë.
Shtypi gjerman, ish-lojtarët dhe analistët e futbollit e kanë dhënë fjalën e tyre në largimin e hershëm të vendit të vet nga Kupa e Botës, dhe për të ardhmen e trajnerit Flick, me Gjermaninë që do të jetë nikoqir i Kampionatit Evropian 2024.
“Fundi i një kombi të madh futbolli”
Gazeta gjermane Bild nuk është përmbajtur në kritikat e saj ndaj paraqitjeve të Gjermanisë, duke i quajtur skuadrën “xhuxhët e futbollit”.
Ajo madje shkroi se askush në kombëtaren gjermane – nga lojtarët te stafi i trajnerëve – nuk është i klasit botëror dhe e kanë shënuar 1 dhjetorin si “fundi i një kombi krenar dhe të madh futbolli”.
Ballina e Suddeutsche Zeitung nënvizon: “ky rezultat i përshtatet rrëmujës së madhe”, derisa Faz thotë se rikthimi në krye të futbollit botëror është “thjesht një ilustrim për Gjermaninë”.
Ndërkohë, Kiker.de thotë se “vetëm një rezultat 9:2 do ta kishte ndihmuar një Gjermani që dështoi sërish”, me Der Spiegel që i ka cilësuar si “kokëfortë” udhëheqësit.
Kritikat e ish-lojtarëve dhe analistëve ndaj Kombëtares gjermane nisën menjëherë pasi përfundoi ndeshja në Al Khor dhe u konfirmuar eliminimi nga Botërori.
Ish-kapiteni Bastian Schweinsteiger, i cili i luajti 121 ndeshje për Gjermaninë, tha se fajin e kanë lojtarët.
“Hansi Flick nuk gaboi shumë”, tha Schweinsteiger për transmetuesin gjerman ARD.
“Jam vërtet i zhgënjyer dhe i tronditur se si rrodhën gjërat. Kjo paraqitje e ekipit kombëtar nuk mjafton, nuk mjafton. Problemi thelbësor është se ne e ftojmë kundërshtarin të na sulmojë”, shtoi ai.

