Katar 2022 | Japonia kualifikohet si lidere, Spanja si pozitë e dytë, bien Gjermania dhe Kosta Rika - NACIONALE

Katar 2022 | Japonia kualifikohet si lidere, Spanja si pozitë e dytë, bien Gjermania dhe Kosta Rika

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Japonisë ka bërë befasinë duke mposhtur Spanjën dhe arritur kualifikimin si lidere nga grupi E, derisa Kosta Rika dhe Gjermania janë diskualifikuar.

Dy ndeshjet e sotme ishin derbi në vete, ku renditja tabelore ndërroi disa herë brenda një kohë shumë të shkurtër.

Japonia triumfoi ndaj Spanjës me rezultat të ngushtë 2:1, derisa Gjermania me mund triumfoi ndaj Kosta Rikës me rezultat 4:2.

Spanja e nisi për mrekulli ndeshjen ndaj Japonisë duke kaluar në epërsi pas vetëm 11 minutave lojë, ku Cesar Azpilicueta harkoi për Alvaro Moratan, që shënoi me kokë (11').

Por, gjatë pjesës së dytë, Japonia e dëshmoi se ajo çfarë bënë ndaj Gjermanisë nuk ishte befasi, duke bërë një përmbysje edhe ndaj spanjollëve.

Fillimisht, ishte Titsu Doan që realizoi një gol fantastik nga distanca për të barazuar rezultatin (48').

Ndërsa, vetëm tre minuta më vonë Ao Tanaka shënoi nga afërsia pas një pasimi të Kaouro Mitoma. Në fakt, u mendua që topi kishte dal jashtë vijës fundore, por VAR-i tha të kundërtën me golin që u pranua.

Deri në fund, Japonia pastaj arriti ta ruajë këtë rezultat për të siguruar kualifikimin si lider i grupit E me gjashtë pikë, derisa Spanja gjithashtu avancon tutje si e dyta me katër sosh.

Në anën tjetër, Gjermania me mund triumfoi ndaj Kosta Rikës, duke shënuar fitore në fund me rezultat 2:4.

Fillimi i ndeshjes ishte në të mirë të Gjermanisë. Në minutën e 10-të ishte Gnabry ai që shënoi për mrekulli me kokë, pasi u shërbye nga Raum.

Me epërsinë e ngushtë të ekipit kombëtar të drejtuar nga Flick u mbyll pjesa e parë. Ndërkaq befasitë erdhën në pjesën e dytë dhe ato ishin thjesht të paparashikueshme.

Fillimisht ishte Tejeda ai që në minutën e 58-të gjeti golin e barazimit. Mbrojtja gjermane u zu e papërgatitur, duke bërë kështu që me topin e kthyer nga pritja e Neuer, Tejeda të shënonte nga afërsia për 1:1.

Vetëm dymbëdhjetë (12) minuta më vonë Kombëtarja e Kosta Rikës shokoi Gjermaninë, duke përmbysur rezultatin. Pas një goditje standarde të ekzekutuar në minutën e 70-të, u krijua në tollovi në zonë të rreptësisë, me ç’rast ishte Vargas që u gjend më së miri duke shënuar 2:1 përmes një devijimi.

Përgjigja e Gjermanisë erdhi pas vetëm tre minutave. Ishte Havertz që u tregua gjakftohtë në minutën e 73-të duke shënuar bukur për 2:2 (VIDEO).

Ndërkaq pak para fundit të ndeshjes ishte Gjermania ajo që gjeti edhe golin e radhës, duke rikthyer epërsinë në favorin e vet.

Pas një pasimi të mirë që dërgoi në shtyllën e parë Gnabry, ishte sërish Havertz që u gjet në momentin dhe vendin e duhur, duke shënuar për 3:2 në minutën e 85-të.

Ndërsa, fitoren e vulosi Niclas Fullkrug pas një asistimi të Leroy Sanes, mirëpo e pamjaftueshme që t'i kualifikojë tutje (VIDEO).

Kujtojmë, se në raundin e 16-të, Japonia do ta zhvillojë përballjen ndaj Kroacisë, derisa Spanja do të ketë punë me Marokun.

Lajme të ngjashme