Pamje: Ligue 1 e zgjedh golin e Edon Zhegrovës bashkë me të Mbappes në mesin e golave më të mirë të javës - NACIONALE

Pamje: Ligue 1 e zgjedh golin e Edon Zhegrovës bashkë me të Mbappes në mesin e golave më të mirë të javës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Goli i mrekullueshëm i Edon Zhegrovës në barazimin e Lille 1:1 me Angers të dielën është zgjedhur në një thes me golin mahnitës të Kylian Mbappes në mesin e pesë golave më të mirë të javës në Francë.

Përfaqësuesi i Kosovës Zhegrova erdhi nga stoli në pjesën e dytë për ta shpëtuar kampionin francez nga humbja, kur me një goditje të fuqishme jashtë zonës e tundi rrjetën e portës vendase në minutën e 74-të.

Ishte një gol tipik i 23-vjeçarit, i cili e mori topin në krahun e djathtë dhe u fut me shpejtësi drejt cepit të zonës, para se të gjuante furishëm me këmbën e tij favorite për të shënuar për 1:1.

Ky gol i tij, i cili është i dyti në gjashtë paraqitje për Lille deri tani, është zgjedhur në mesin e pesë golave më të mirë nga faqja zyrtare e Ligue 1.

Zhegrova - i cili iu bashkua kampionit francez nga Baseli në janar për 7 milionë euro - ende nuk e ka bërë asnjë paraqitje si titullar për Lille.

Por në gjashtë paraqitjet si zëvendësues, ai ia ka dalë të shënojë dy herë dhe të lërë mbresa të mjaftueshme për ta bërë trajnerin Jocelyn Gourvennec të mendojë për t’i dhënë më shumë mundësi për të luajtur.

Duke folur pas ndeshjes, Zhegrova tha: “Ky është një lloj aksioni të cilin e ushtroj shumë në stërvitje. Më pëlqen ta vë topin në këmbën e majtë. Është gol i bukur, e vërtetë, por nuk jam i lumtur sepse ne nuk i fituam tri pikë. Është dashur të luanim më mirë dhe ta arrinim një rezultat më të mirë se ky sot. Duhet të bëjmë gjithçka për t’i fituar ndeshjet e radhës”

Prishtinasi, i cili i kishte dy paraqitje shumë të mira edhe për Kosovën në miqësoret e marsit, thotë se ndihet i lumtur në klubin e tij të ri, ku mund të stërvitë me lojtarë dhe trajner më të mirë.

“Sidoqoftë, personalisht jam shumë i lumtur që jam këtu në një kampionat të ri; më të mirë. Unë stërvit me lojtarë të jashtëzakonshëm dhe me një trajner shumë të mirë”.

Zhegrova ka marrëveshje me Lille deri në vitin 2026 dhe shihet si njëri prej yjeve të së ardhmes në ekipin francez.

Lajme të ngjashme